Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shpallur person të padëshirueshëm (non grata) shtetasin serb dhe drejtorin e Telekom Serbia, Vladimir Luçiq, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen, kalimin transit dhe qëndrimin në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit të MPB-së, të publikuar nga KOHA, Luçiqi është shpallur non grata për shkak të deklaratave të tij publike, të cilat, sipas ministrisë, përbëjnë kërcënim për sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Luçiq, përmes deklarimeve publike, ka promovuar dhe mbështetur politika e aktivitete që cenojnë kompetencat sovrane të institucioneve të Kosovës në fusha me rëndësi strategjike, përfshirë komunikimet elektronike dhe infrastrukturën e telekomunikacionit.

Reklamë

MPB-ja ka vlerësuar gjithashtu se deklaratat e tij kanë promovuar qëndrime kundër sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës, duke i cilësuar ato si nxitëse të gjuhës së urrejtjes dhe destabilizimit.

Vendimi vjen pasi mediat serbe raportuan këtë javë se Luçiq kishte paralajmëruar hapjen e gjashtë objekteve të reja të Telekom Serbia në Kosovë dhe investime për zgjerimin e rrjetit të telefonisë fikse në zonat e banuara me serbë.

Sipas deklarimeve të tij, dy objekte të reja ishin planifikuar të ndërtoheshin në Partesh, afër Gjilanit, ndërsa një tjetër në Pasjan, të cilat do të shërbenin si zyra dhe pika telekomunikacioni.

Luçiq ka deklaruar vazhdimisht qëndrime se Kosova është territor i Serbisë, pretendime që janë kundërshtuar nga institucionet e Kosovës.