×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova nuk e ka paditur Serbinë për dëmet e luftës

    Reporteri
    27 Mars 2019 | 20:50

    Nga lufta e fundit në Kosovë vdiqën mbi 13 mijë civilë, gra, fëmijë, pleqë e të rinj.


    Forcat serbe atë kohë kryen rreth 450 masakra, dhunuan mbi 20 mijë gra shqiptare, derisa shumë civil u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre. E për fat të keq askush nga shteti i Serbisë nuk është ndëshkuar as në Serbi as nga drejtësia ndërkombëtare.

    Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi thotë se institucionet e vendit kanë pasur dëshmi të mjaftueshme për të paditur Serbinë për krimet dhe masakrat e shumta që kanë kryer.

    “Fatkeqësisht, institucionet e vendit nuk janë marrë me dëmet që i ka shkaktuar Serbia ndaj popullatës civile shqiptare. Mos të harrojmë se aparati shtetëror i Serbisë ka kryer shumë masakra në shumë lokacione të Kosovës, pra i kemi dhjetëra masakra të kryera nga policia, ushtria dhe paramilitarët serb, në mesin e të masakruarve kemi edhe shumë fëmijë, po ashtu kemi edhe diku 1 700 persona të zhdukur, shumë shtëpi të djegura, pastaj plaçkitje të pasurisë shqiptare, të gjithë jemi dëshmitar për varrezat masive të shqiptarëve të cilat janë gjetur në Serbi, pastaj burgosjet e civilëve të pafajshëm dhe ushtrimin e dhunës ndaj tyre, deri te spastrimi etnik, ku rreth një milion shqiptar u detyruan me dhunë të largohen nga shtëpitë e tyre për tu deportuar në Maqedoni dhe në Shqipëri”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

    Qeriqi thotë se për krimet e kryera kemi shumë dëshmitarë të cilët mund të rrëfejnë për këto ngjarje të rënda, porse ka munguar interesimi për t’i dënuar ata.

    “Për të gjitha këto krime, të kryera nga aparati shtetëror serb, ka dëshmi të mjaftueshme, kemi shumë dëshmitar të cilët i përjetuan këto ngjarje të rënda, por fatkeqësisht ka munguar interesimi i institucioneve tona që të merren me këtë rast. Ne kemi dëgjuar deklarata nga përfaqësuesit e institucioneve tona se do ta padisim Serbinë, për krimet që i ka kryer në Kosovë, mirëpo asnjëherë nuk kemi parë të kenë marrë ndonjë iniciativë për formimin e një komisioni qeveritar që do të merrej ekskluzivisht me mbledhjen e dëshmive në teren, me intervistimin e dëshmitarëve të cilët i kanë përjetuar këto ngjarje të rënda”, ka shtuar tutje ai.

    Krijimi i një institucioni për mbledhjen e dëshmive dhe fakteve për krimet e kryera nga Serbia, sipas tij nuk është vonë asnjëherë.

    “Ajo çka do të duhej të bënin institucionet e vendit në këtë kohë, është që sa më shpejt ta formonin një komision për mbledhjen e dëshmive dhe fakteve për krimet e kryera nga Serbia, mendoj se asnjëherë nuk është vonë që të mblidhen këto dëshmi, dhe më pas të përpilohej një raport i përgjithshëm i bazuar në fakte dhe dëshmi, ku me këtë raport t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare dhe të kërkojnë dënim për gjenocid të kryer nga shteti serb, në Kosovë”, shtoi ai.

    Qeriqi konsideron se faktori ndërkombëtar është në dijeni të plotë për krimin që e ka kryer Serbia në Kosovë, për këtë arsye në atë kohë pati intervenuar ushtarakisht për ta ndalur këtë krim, por mungesa e vullnetit të institucioneve tona për ta zbardhur një të vërtetë ka munguar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!