Prishtina bën gjithçka për t’iu shmangur dialogut, ka thënë kryekuvendari serb, Vladimir Orliç, në një takim me Shefin e Zyrës së BE-së në Beograd, Emmanuele Giofret, raporton gazeta online Reporteri.net.
Orliç tha se Kosova po kërcënon hapur me anulimin e zotimeve të Marrëveshjes së Brukselit, u tha në një komunikatë për shtyp të Kuvendit të Serbisë.
Me të marrë detyrën si Kryetar i Kuvendit pas zgjedhjeve të përgjithshme serbe të 3 prillit, Orliç si pasues i Ivica Daçiç, ka pasuar gjithashtu edhe diskursin e këtij të fundit.
Para mëse një jave në New York, Orliç u shpreh i bindur se Serbia do të vazhdojë politikën e mosnjohjes së Kosovës dhe bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Serbia absolutisht nuk dëshiron dhe nuk do ta njohë Kosovën, përmes asnjë oferte ose varianti që u diskutuan në publik. Ne respektojmë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial”, ka thënë ai ditë më parë.
Orliç është shprehur se për Serbinë nuk është e pranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së në këmbim të përshpejtimit të proceseve integruese evropiane të Serbisë./Reporteri.net/