Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, detyrë që deri më tani e ka ushtruar Andin Hoti.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se me Limanin njihet prej më shumë se dy dekadash dhe kujtoi angazhimin e përbashkët në kërkim të drejtësisë për krimet e luftës.

“Ai është bashkautor i monografisë ‘Fshati i Vrarë’ për masakrën e Krushës së Vogël, libër i cili u ka shërbyer institucioneve të drejtësisë si dëshmi në rastin ku është dënuar Darko Tasiç”, shkroi Kurti.

Reklamë

Sipas tij, Limani ishte ushtar i UÇK-së gjatë luftës, ndërsa familja e tij është prekur rëndë nga krimet e luftës, pasi vëllai i është vrarë, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës vazhdojnë të jenë në mesin e personave të zhdukur nga masakra e Krushës së Vogël.

Kurti theksoi se misioni i Limanit në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë ka nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”, ndërsa shtoi se ai është me profesion inxhinier i elektroteknikës dhe ka shërbyer edhe si drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.

Në postimin e tij, Kurti ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pavarësisht, siç u shpreh ai, pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia.

Ai tha se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës dhe përsëriti thirrjen për trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës së 2 majit 2023 për personat e zhdukur.

Kurti kërkoi veçanërisht hapjen e arkivave të forcave serbe, përfshirë ndryshimin e vendimit për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve dhe hapjen e arkivës së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave.

Reklamë