Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se fabrika e municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm.

Kështu tha Kurti në mbledhjen e sotme, ku Qeveria në detyrë e Kosovës më 27 nëntor miratoi kërkesën për shpronësimin e pronave të ish-kombinatit bujqësor Ereniku, për ndërtimin e zonës industriale në Jahoc të Gjakovës, ku do të ndërtohet fabrika e municioneve.

Me miratimin e kësaj, Kurti ka thënë se do t’i hapin rrugë në terren për fabrikën e municioneve, të parës së këtij lloji në Kosovë.

Reklamë

“Me miratimin e saj hapim rrugë në terren për ndërtimin e fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në republikën e pavarur, që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rrisë sigurinë tonë dhe do t’i ngrisë edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE, do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorët e tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë produkte të ndryshme ushtarake, dronët ushtarakë dhe civilë “Made in Kosova”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar kishte njoftuar për nisjen e procesit për hapjen e një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnimin e fluturakeve pa pilotë, të njohura si dronë.

Dhjetorin e po atij viti, u nënshkrua marrëveshja me prodhuesin turk të industrisë Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë.