Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur nga Berlini për marrëveshjet për bashkëpunim rajonal që u nënshkruan sot.
Kurti tha se Procesi i Berlinit është mekanizmi i vetëm i vërtetë për anëtarësim në BE, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Diskutuam shumë tema, sidomos për energjinë dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe i nënshkruam tri marrëveshje, të cilat ka dy vite që negociohen.
“E falënderoj kancelarin Scholz në këta muajt e javët e fundit për angazhimin që të vijë deri te nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve. Njëkohësisht me udhëheqjen rotative që fillon me Republikën e Shqipërisë jemi të lumtur që fuqizimi që këtij procesi ia dha Scholz do të vazhdojë në Ballkan dhe kjo tregon vëmendjen e shtuar, vëzhgimin e afërt dhe ndihmën e vazhdueshme që kanë Berlini, Brukseli dhe i gjithë BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor. Neve na ngelet që të bëjmë shumë reforma ashtu që tregu i përbashkët rajonal të pasohet edhe me shumë marrëveshje të tjera, të cilat ndërtojnë edhe më tej në katër liritë themelore, të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.
Kosova ashtu siç është zotuar gjatë këtij viti do të aplikojë për anëtarësim në BE. Procesi i Berlinit është mekanizmi i vetëm i vërtetë për anëtarësim në BE. Të gjithë kemi nevojë për Ballkan evropian dhe demokratik”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kryeministri tha se do të shikohen e analizohen propozimet evropiane e demokratike, gjithmonë duke e konsideruar vlerë demokracinë, sundimin e ligjit, sovranitetin e integritetin territorial.
Kurti tha se në këtë proces janë në shtegun e duhur, por se është ende herët të flitet për një zgjidhje përfundimtare.
Ai shtoi se ndërmjetësuesit kanë kërkuar që të ruhet konfidencialiteti i këtyre diskutimeve.
“Së pari opsionet, modelet e idetë që po prezantohen në mënyrë të intensifikuar kohëve të fundit, pa dyshim se janë një avancim, meqenëse bëhet fjalë për koncepte e nocione universale, siç janë integriteti territorial, pavarësia, barazia etj. Dhe unë besoj që kjo është shumë e mirë për marrëveshjen e ardhshme Kosovë-Serbi që për bindjen tonë të fuqishme duhet të jetë finale, për normalizim të plotë, e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke në qendër. Është herët të themi se çfarë do të mbajë ajo në fund, por mendoj se ka një rrugë të duhur nga marrëveshje për zgjidhje të problemeve të veçanta që u nënshtrohet interpretimeve të panumërta, tek një marrëveshje që është e bazuar tek vlerat evropiane. Besoj që kjo është shumë e rëndësishme. Për një marrëveshje Kosovë-Serbi nuk na duhen zgjidhje super të veçanta por një marrëveshje me kornizë të përgjithshme që bazohet në vlera evropiane. Kjo është e drejtë dhe e mirë për të gjithë, por edhe e dobishme për Kosovën. Dua të theksoj që sa herë të na thërret Brukseli për takime të radhës, ne jemi të gatshëm. Jemi në rrugën e duhur për ta diskutuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes. Momenti i ndryshimit ka qenë takimi në Bruksel më 18 gusht, ku pikë e parë ka qenë korniza e përgjithshme e dialogut. Në kuadër të kësaj vijnë propozime ide, që ato që bazohen në vlera evropiane e demokratike kanë mirëkuptimin tim. Jemi në shtegun e duhur dhe kemi bazën e mirë, por është ende herët të flitet për një përbërje përfundimtare. Është ende herët të kuptoni se është respekt ndaj ndërmjetësit konfidencialitet. Unë jam transparent për procesin, por është princip i ndërmjetësit konfidencialiteti i i bisedimeve dhe nga pala jonë mund të them se s’ka pasur rrjedhje siç thuhet”, tha Kurti. /Reporteri.net