Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka vlerësuar “konstruktiv” takimin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Megjithatë, Kurti ka thënë se nuk ka diçka konkrete që do të ndante nga takimi.
“Me kryetarin Hamza u takuam së pari në këtë raund të këtyre takimeve, meqenëse është edhe subjekti i dytë me numër të deputetëve pas Lëvizjes Vetëvendosje si fituese. E falënderoj kryetarin Hamza për këtë takim që ishte konstruktiv në atmosferë të vullnetit dhe interesimit për t’i dhënë institucione të reja Kosovës, në përputhje me vullnetin e popullit. S’mund të them që kemi aktualisht ndonjë rezultat konkret, të arritur që do të mund ta ndaja me publikun”, tha Kurti para mediave.
Kurti ka theksuar se për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale.
“Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, pra dikush i asnjë partie politike, që është përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale e qytetare dhe të jetë shprehje e unitetit, siç e kërkon kushtetutshmëria. Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentin të gjithë kemi përgjegjësi”, tha Kurti
Në anën tjetër, Hamza ka konfirmuar se PDK-ja do të mbetet në opozitë në këtë mandat. /Reporteri.net/