×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK e VV i drejtohen Serwerit për gylenistët: Na duhet ndihmë

    Reporteri
    27 Mars 2019 | 18:43
    Profesori amerikan, Daniel Serwer

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Driton Selmani, i kanë shkruar Daniel Serwerit lidhur me arrestimin dhe ekstradimin e gjashtë shtetasve turq vitin e kaluar.


    Ata kanë thënë se komisioni hetimor ka gjetur shumë shkelje, disa prej të cilave janë kryer nga zyrtarët e lartë të Kosovës.

    Deputetët i kanë përfshirë në këtë letër edhe disa dokumente të cilat shërbejnë si dëshmi për punën e komisionit hetimor. Këtu janë përfshirë lista e 26 dëshmitarëve të intervistuar, lista e ngjarjeve lidhur me arrestimin sipas datave, raporti me rekomandime dhe shkeljet e gjetura.

    Ata kanë thënë se kjo është hera e parë në historinë e Kosovës që një komision parlamentar i ka hetuar plotësisht dyshimet për shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

    Deputetët e kanë njoftuar Serwerin se raporti i tyre i është dorëzuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për t’i hetuar krimet e mundshme gjatë procesit të ekstradimit të shtetasve turq.

    Deputetët kanë thënë se nuk besojnë që prokurorët e Kosovës do të kryejnë hetime kuptimplote dhe që do t’i sjellin para drejtësisë zyrtarët e lartë pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Sipas tyre, shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar ka bërë që Kuvendi i Kosovës ta themelojë komisionin parlamentar për hetimin e ekstradimit të gylenistëve.

    “Sigurisht, përkrahje edhe më e madhe ndërkombëtare do të kërkohet për t’u siguruar që prokurorët e këtij rasti ta bëjnë një hetim të plotë dhe që Kuvendi t’i ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për parandalimin e shkeljeve të këtilla të të drejtave të njeriut në të ardhmen”, thuhet në letrën e deputetëve Sveçla dhe Selmani.

    Në fund të letrës, këta deputetë thonë se ekstradimi i gjashtë shtetasve turq nuk do të kishte ndodhur nëse zyrtarët shtetërorë do ta dinin se bota është duke shikuar dhe se Prokuroria Speciale dhe Kuvendi i Kosovës duhet të jenë të vetëdijshëm se bota është ende duke shikuar. /Express/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!