×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK refuzon ftesën e Kurtit për takim, kërkojnë që ai të raportojë në Kuvend

    Reporteri
    20 Tetor 2022 | 16:23
    Lideri i LDK'së, Lumir Abdixhiku & kryeministri Albin Kurti

    LDK’ja i është përgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për takim me liderët opozitarë të premten, pas takimit që ky i fundit pati me Emisarin e ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Zëdhënësja e LDK’së, Sibel Halimi, i ka thënë Gazetës Online Reporteri.net se për çështjen e dialogut, që u përfol se do të diskutohej të premten në takim, Kryeministri Kurti duhet të raportojë vetëm në Kuvend, e ku pastaj LDK do t’i ritheksojë qëndrimet e partisë.

    “Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”, tha ajo.

    Halimi po ashtu tha se, megjithatë, LDK kërkon që marrëveshja finale me Serbinë medoemos të fokusohet në njohje reciproke.

    “Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme.”

    Ndaj kësaj ftese, një përgjigje kanë dhënë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, PDK thotë se po presin që të zbardhet agjenda e këtij takimi para se ta konfirmojnë pjesëmarrjen ose jo në takim, që pritet të mbahet me fillim nga ora 12:00.

    Kjo pasi, sipas tyre, në ftesën e pranuar përmes emailit nga Kryeministri, nuk është specifikuar tema dhe agjenda.

    “Para pak minutash kemi pranuar një e-mail nga Kabineti i Kryeministrit, nëpërmjet të cilit ështe ftuar kryetari i PDK-së Memli Kransiqi për takim të përbashkët me krerët e subjekteve opozitare dhe kryeministrin. Por, në këtë e-mail nuk është specifikuar tema dhe agjenda takimit. Pasi të marrim informacione të sakta nga Zyra e Kryeministrit për qëllimin dhe agjendën zyrtare të takimit, kyetari do të vendosë se a do të merr pjesë në këtë takim apo jo”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Komunikimit të PDK-së.

    Në anën tjetër, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

    “Kryetari Haradinaj merr pjesë të premtën në takim”, tha shkurt zëdhënësi Blaka. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!