Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka kritikuar qasjen e disa deputetëve opozitarë lidhur me mosformimin e institucioneve të reja.
Lekaj ka thënë se disa deputetë të opozitës po shfaqin më shumë shqetësim për mosformimin e institucioneve nga Albin Kurti, sesa vetë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot, disa deputetë të opozitës po duken më të shqetësuar pse Albin Kurti nuk po i formon institucionet, sesa vetë deputetët e VV-së”, ka shkruar Lekaj.
Sipas tij, kjo nuk përfaqëson rolin e opozitës.
“Kjo nuk është opozitë. Kjo është vajtim për pushtetin e dikujt tjetër”, ka deklaruar ai.
Lekaj ka fajësuar Kurtin për situatën aktuale, duke thënë se përgjegjësia për bllokadën politike bie mbi të.
“Bllokadën e ka krijuar Albin Kurti dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi për të. Detyra e opozitës është ta denoncojë këtë papërgjegjësi, jo të sillet sikur po i qan hallin pushtetit”, ka shkruar ish-deputeti i AAK-së.