×
  • Lajme
  • Lajme

    Limaj: Nuk dihet kur vazhdon dialogu

    Reporteri
    06 Prill 2019 | 11:39

    Taksa e vendosur për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, mund të mos jetë arsyeja e vetme e stagnimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Arsye për mosnisjen e dialogut po shihen edhe zgjedhjet e brendshme në Parlamentin Evropian. Por nga ana tjetër, Serbia ka dhënë sinjale për të negociuar taksën.Kështu është shprehur, bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator të Kosovës në bisedimet në Bruksel, Fatmir Limaj, i cili thotë se pavarësisht rrethanave, Bashkimi Evropian është i interesuar për vazhdimin e dialogut.


    Limaj në një intervistë për Ekonomia Online, nuk ka dhënë afat kohorë se kur Ekipi Negociator mund të udhëtojë për në Bruksel, por ka thënë se do të presin dhe përgatiten deri kur të vijë momenti për dialogim.

    “Siç e dini ju problemi vazhdon të jetë kushtëzimi i Serbisë për taksën. Tashmë qëndrimi ynë është i qartë, ne po punojmë tash si delegacion që të jemi të gatshëm kurdoherë. Bashkimi Evropian ka qenë shumë i interesuar që të vazhdohet dialogu, problemin e kemi që Serbia ende i ka kushtëzimet e veta. Po ashtu jemi në një situatë që Bashkimi Evropian i ka proceset e tyre të brendshme zgjedhore, kështu që ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Mogherinin, ta shohim se si do të zhvillohen ngjarjet. Mund të ndodh edhe para, ajo është agjende çështja e dialogut është një nga prioritetet e BE-së, dialogu Kosovë-Serbi dhe mund të ndodhë në çdo kohë të rifilloj dialogu dhe ne jemi të interesuar që sa më shpejtë të filloj”, tha Limaj për Ekonomia Online.Tutje Limaj, ka thënë se Beogradi është i interesuar për negociuar taksën, sipas tij, ka sinjale të tilla, por Kosova nuk e heq atë pa u plotësuar disa kërkesa nga ana e Serbisë.“Unë mendoj se ka sinjale nga Beogradi që janë të interesuar për të negociuar taksën, po flas për kushtet për ndaljen e agresionit serb, heqjen e shumë barrierave jo tarifore që Serbia ia vështirëson dhe ua paraqet qytetarëve dhe biznesit të Kosovës, janë disa tema që duhet adresohen dhe kjo do të krijonte një klimë të përshtatshme pastaj që Kosova të bëj hapin për pezullimin e taksës. Ka sinjale që ata janë të interesuar për të trajtuar, të paktën kështu sinjale kemi ta shohim rrugës se si do të ndodhë”, është shprehur Limaj.

    Menjëherë pas miratimit të Platformës, Limaj thotë se Delegacioni Shtetëror ka krijuar grupet të cilat janë duke punuar dhe po përgatitin materiale, që Kosova të jetë e gatshme për marrëveshjen finale përmes dialogut.Limaj ka thënë se për çështjen e të pagjeturve është më e lehtë që të sigurohen faktet dhe të parashtrohen në tavolinën e bisedimeve, por sipas tij, më e vështirë është sigurimi i dokumentacioneve për personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës.

    “Organizata apo institucione të cilat për vite të tëra janë marrë me tema specifike si për të pagjeturit, besoj se te kjo çështje është bërë një punë e madhe në të kaluarën ngase komisioni qeveritar për ta pagjeturit e ka tërë dokumentacionin e të pagjeturve, ata janë marrë vazhdimisht me këtë temë dhe do të jenë në shërbim të grupit për të pagjeturit. Çështja e të mbijetuarave nga dhuna seksuale edhe aty kemi filluar seriozisht të mbledhim të gjitha faktet dhe provat për atë që ka ndodh, mirëpo ky është një proces më i gjatë dhe unë besoj se ngadalë do t’i kemi dokumentacionet e nevojshme sepse ka vështirësi ngase asnjëherë s’janë marrë seriozisht me këtë temë”, u shpreh Limaj për Ekonomia Online.

    Pakënaqësi për përzgjedhjen e temave që do të trajtohen në Bruksel, sipas Limajt, mund të ketë vetën nga pala serbe. Ai thotë se Brukseli ka kërkuar që të mblidhen shqetësimet e të dyja palëve.“Jo përkundrazi, ata ua kanë lënë palëve këtë çështje sepse palët janë ato që duhet t’i ngrisin temat që u interesojnë. Brukseli krejt çka bënë është ajo që i mbledh ato shqetësimet dhe temat dhe pastaj hedhen në tryezë për të gjendur zgjidhje. Besoj që mund të ketë reagime ashtu që mund të ketë reagime edhe nga ana jonë për ndonjë temë që ngit Serbia, por ne jemi aty për tema që janë në interes dhe besojmë që duhet të trajtohen nga Kosova”, pohoi Limaj.

    Limaj shprehet i bindur se asnjë nga temat e ngritura nga Kosova nuk do të anulohen në Bruksel, duke thënë se kërkesat e Kosovës nuk janë fontanë dëshirash, por çështje të domosdoshme.“Jo, temat që ne i kemi trajtuar nuk mund të anulohen, nuk janë këto tema fontanë dëshirash, janë tema të domosdoshme, janë tema që ne besojmë se pa adresimin e këtyre temave ne nuk mund të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me Serbinë. Çështja e të pagjeturve nuk është temë alternative, çështja e të dhunuarve të dhunës seksuale nuk është çështje dëshirash, është një fakt që do adresim, është një dhimbje e madh që do adresim, çështja e krimeve të luftës nuk është temë alternative, janë me qindra masakra, ju po e shihni prej janarit e deri në qershor ne kemi çdo ditë përkujtimeve të masakrave që kanë ndodhur në Kosovë dhe ato duan adresim dhe vetëm adresimi i këtyre temave neve na ndihmon për të arritur një marrëveshje kuptimplotë”, tha Limaj.

    Zëvendëskryeministri Limaj, i ka komentuar edhe reagimet që kanë ardhur pas punësimeve që janë bërë si staf i Ekipit Negociator. Ai tha se delegacioni i Kosovës dhe vetë ekipi, është i përkohshme dhe të punësuarit sipas tij, janë ekip administrative.“Për një moment të caktuar dhe në këto situata administrata ose ekip që mbajnë procesverbalet e deri tani e dokumentacionet janë ekip për një kohë të caktuar deri në përmbyllje të kësaj teme, natyrisht që aty keni bashkëpunëtorët e juaj që janë 24 orë në shërbim të asaj teme, jemi duke folur për një temë të veçantë momentale, afatshkurta për një çështje të caktuar, përveç kësaj ne kemi plot ekspert dhe këshilltarë brenda qeverisë që i shërbejnë delegacionit, kemi edhe këshilltar të jashtëm, kjo pjesë është çështje administrative që janë njerëzit që kanë punuar me ne ndërkohë dhe janë administrativ besoj se është për një kohë të kufizuar dhe kaq”, u shpreh zëvendëskryeministri Limaj.

    Koalicionin qeverisës, Limaj e ka quajtur stabil, përderisa ka siguruar se nuk do të bie Qeveria, për shkak të taksës.“Partnerët e koalicionit bisedojnë për të gjetur qëndrimin e përbashkët dhe tash ka këndvështrime të ndryshme, por besoj se ka kapacitet negociues brenda partnerëve të koalicionit për të pasur qëndrim të përbashkët siç kemi pas në vendosjen e taksës. Qeveria mund të bie për mospunë dhe në mungesë të votave në parlament ju e dini se si është rruga që bie qeveria”, tha ai.Kreu i Nisma Socialdemokrate ka thënë se Qeveria është e gatshme të jep përgjegjësi për temat e mëdha, andaj duhet të bëhet punë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!