Ilir Rexhepi, i dyshuar për sulmin brutal ndaj ekipit të Klan Kosovës, përkatësisht emisionit Kiks Kosova, është liruar dy ditë pas sulmit fizik të ekipit medial i cili po hulumtonte një temë në të cilën ishte i përfshirë edhe vetë i dyshuari.

Siç raporton Klan Kosova, Prokuroria nuk ka kërkuar fare caktimin e masës së paraburgimit ndaj Rexhepit, i cili përveç sulmit, dyshohet edhe për vjedhjen e kamerës së ekipit, të cilën e ka dorëzuar me rastin e paraqitjes në stacion policor.

Kiks Kosova ka kërkuar sqarime nga Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe Prokuroria e Shtetit lidhur me vendimin për lirimin e Rexhepit, masat e ndërmarra ndaj tij dhe veprimet hetimore për identifikimin e dy personave të tjerë të dyshuar për pjesëmarrje në sulm.

Reklamë

Megjithatë, mediumi e ka kontaktuar edhe në telefon prokurorin e rastit, Ardian Emini, i cili refuzoi të deklarohej, e madje tha se nuk ka çka të flas për lëndën.

“Për rastin nuk kemi çka të flasim, jam prokuror i shtetit dhe rasti është nën hetime…Natën e mirë“, tha Emini.

Përveç Rexhepit, për sulmin në fjalë dyshohen edhe tre persona tjerë të cilët ende nuk janë identifikuar.

Për lirimin e të dyshuarit, ka reaguar autorja e emisionit, Ardian Thaçi, e cila i ka drejtuar disa pyetje publike për Prokurorinë e Shtetit dhe prokurorin e rastit.

“Të mërkurën tre anëtarë të ekipit të Kiks Kosova u rrahën barbarisht në Ferizaj, Prokuroria ende nuk u është përgjigjur pyetjeve tona. Kush mban përgjegjësi për mënyrën si po trajtohet ky rast? Si është e mundur që prokurori kujdestar që u mor me rastin të jetë edhe prokuror i çështjes? A ndahen rastet me short apo me kërkesë të prokurorit? A janë manipuluar provat dhe a janë zhdukur DVR-të e kamerave të sigurisë? Kush janë tre personat e tjerë të shpallur në kërkim dhe pse personi që pranoi fajësinë për veprën penale u la i lirë? A nuk rrezikon lirimi i tij ta dëmtojë hetimin, të ndikojë te të dyshuarit e tjerë apo te provat? Sidomos kur ekzistojnë dyshime për ndërhyrje në kamerat e sigurisë“, shkruan gazetarja në Facebook. /Reporteri.net/.

Reklamë