Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush do t’i ushtrojë kompetencat e Presidentit pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore të ushtrimit të detyrës nga Albulena Haxhiu, raporton KosovaPress.
Në bazë të dokumentit që e ka publikuar KosovaPress, kërkesa është dorëzuar më 6 tetor nga deputeti Adnan Rrustemi, në emër të 31 deputetëve të LVV-së.
Në kërkesë kërkohet të sqarohet situata që mund të krijohet nëse Presidenti i ri nuk zgjidhet dhe Kuvendi shpërndahet për shkak të moszgjedhjes së presidentit.
Një nga çështjet kryesore është kush do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, pasi kjo është një nga kompetencat e presidentit.
Deputetët e LVV-së kërkojnë që Gjykata të sqarojë se si do të vazhdojnë institucionet dhe procesi zgjedhor pas përfundimit të gjashtë muajve të ushtrimit të detyrës nga Haxhiu.
Kërkesa e deputetëve është bërë një ditë pasi edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të njëjtën çështje.

