Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarve për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e vitit 2021, i akuzuari Sahit Mataj, gjatë dhënies së mbrojtjes, deklaroi se kishte kryer punën e tij si numërues në mënyrë të rregullt, madje kishte ndihmuar edhe në zbulimin e manipulimeve me vota.
Në këtë rast, bashkë me Matajn, akuzohen edhe Arbër Krasniqi, Përparim Përvetica dhe Ilirjan Hysenaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Sahit Mataj deklaroi se kishte punuar për herë të parë si numërues në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.
Sipas tij, në secilën tavolinë punonin katër numërues dhe një kryesues. Kryesuesi diktonte votat, ndërsa dy numërues numëronin të njëjtin numër votash. Nëse numri i përgjithshëm përputhej, atëherë numërimi konsiderohej i rregullt; në të kundërtën, procesi duhej të përsëritej.
I akuzuari Mataj tha se numërimet e tij nuk kishin pasur asnjë mospërputhje me numërimet e numëruesit tjetër, duke shtuar se ishte i gatshëm të mbante përgjegjësi edhe nëse do të kishte dallim qoftë edhe për një votë.
Mataj deklaroi se numëruesit duhej të plotësonin disa “filka”, në të cilat shënoheshin subjekti politik, emri dhe mbiemri i numëruesit, si dhe emrat e kandidatëve. Në fund, formulari duhej të nënshkruhej nga numëruesi.
Ndërkaq, kryesuesi mbante shënime në “FRK”, që, sipas të akuzuarit, ishte një lloj libri që duhej të plotësohej nga kryesuesi pa praninë e numëruesve.
Mataj tha se, në fund të procesit, kryesuesi e kishte për detyrë t’i mbyllte të gjitha materialet në një kuti, por se nuk i kujtohej se kujt ia kishte dorëzuar ato.
Sipas të akuzuarit, kryesuesi i tavolinës ku ai punonte ishte Granit Halilaj, i dënuar tashmë për falsifikim të votave.
Mataj tha se Jetmir Bytyqi, bashkëshorti i kandidates për deputete në zgjedhjet e vitit 2021, Albana Bytyqi, i kishte treguar se bashkëshortes së tij i mungonin votat dhe e kishte pyetur nëse kishte vërejtur ndonjë parregullsi në QNR.
Ai shtoi se vëzhguesit e partive politike raportonin te subjektet e tyre politike. Konkretisht, sipas tij, një vëzhgues i kishte raportuar 20 vota për bashkëshorten e Bytyqit, por pas publikimit të listave 24-orëshe, asaj i kishin rezultuar vetëm tetë vota.
I akuzuari tha se kishin festuar fitoren e bashkëshortes së Bytyqit, por të nesërmen fituese ishte shpallur kandidatja tjetër, Meliza Haradinaj-Stublla.
Ai tha se në QNR kishte vërejtur një person, në etiketën identifikuese të të cilit shkruante “Arigon”, ndërsa mbiemri i ishte mbuluar me një letër. Sipas tij, Bytyqi kishte informata se ky person ishte pjesë e grupit të Haradinaj-Stubllës.
Sipas Matajt, Bytyqi kishte kërkuar që patjetër ta takonte personin e quajtur Arigon dhe i kishte thënë të akuzuarit të pretendonte se po e ndihmonte Haradinaj-Stubllën.
Mataj tha se po atë ditë ishin takuar të tre, ndërsa Bytyqi e kishte incizuar bisedën. Me pëlqimin e të akuzuarit, incizimin ia kishte dhënë portalit “Insajderi”. Gjithashtu, Bytyqi ishte takuar edhe me kryeprokurorin Kujtim Munishi për t’i dhënë informata.
Pasi Albana Bytyqi nuk kishte arritur ta fitonte mandatin e deputetes, i akuzuari tha se ishin grumbulluar rreth 40 ankesa individuale, të cilat më pas i ishin dorëzuar së bashku Albana Bytyqit. Ajo i kishte paraqitur si dosje në PZAP në emrin e saj, por ankesa ishte refuzuar.
Ndërkaq, pasi Policia e kishte kontaktuar Bytyqin, Mataj tha se kishte dhënë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit dhe se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me Policinë.
Më pas, seanca u ndërpre për shkak të gjendjes shëndetësore të anëtarit të trupit gjykues, Lutfi Shala. Seanca do të vazhdojë me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Mataj në një datë tjetër.
Ndryshe, më 13 nëntor 2023, Gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi, pasi ata kishin lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë.
Më 14 nëntor 2023, Halilaj ishte dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Kurse Gashi ishte dënuar me 12 muaj burgim me kusht, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos kryente ndonjë vepër tjetër penale, si dhe me dënim plotësues prej 12 muajsh ndalim të ushtrimit të profesionit në administratën publike.
Ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt procesi gjyqësor vazhdoi. Në seancën e 20 shkurtit 2025, Gjykata e kishte veçuar procedurën ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, pasi ai po gjykohej në një proces tjetër në Gjykatën Speciale në Hagë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit. Ata akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit, votat i ishin shtuar ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe kandidatit për deputet Haxhi Shala.