Kryenegociatori i Kosovës për integrim evropian, Jeton Zulfaj, ka takuar sot komisionaren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, me të cilën ka diskutuar për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Përmes një postimi në X, Kos ka thënë se, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy vjetëve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat për sundimin e ligjit dhe në Planin e Rritjes, si dhe në përgatitjet për anëtarësimin në SEPA.

Por, ajo tha se ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme.

Reklamë

“Sot diskutova me kryenegociatorin Jeton Zulfaj rreth rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit në BE. Pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka shënuar përparim në reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe Planin e Rritjes. Ajo ka bërë hapa të mirë drejt anëtarësimit në SEPA”.

“Megjithatë, ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të papranueshme. Miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj BE-së. Kjo do të përbënte një hap të rëndë prapa në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Respektimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e pavarura gjyqësore janë thelbësore për përgatitjen e hapave të mëtejshëm në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së”, ka shkruar ajo.