Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar në Bruksel me homologun e tij nga Shqipëria, Ermal Nufin, ku ky i fundit ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Takimi është zhvilluar të martën në Selinë e NATO-s, para mbajtjes së Takimit të 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG).
Pas takimit, ministri shqiptar ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal.
“Kosova në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Evropë”, ka deklaruar Nufi.
Ai ka bërë të ditur se Shqipëria do ta mbështesë këtë aspiratë në çdo forum dhe në çdo nivel të bashkëpunimit euroatlantik.
“Këtë aspiratë, Shqipëria do ta mbështesë me vendosmëri, në çdo forum dhe në çdo nivel të bashkëpunimit euroatlantik”, ka shkruar ministri shqiptar.
Në mesazhin e tij, Nufi ka theksuar edhe rëndësinë e forcimit të pranisë së NATO-s në Ballkan.
“Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë edhe një Evropë më e sigurt!”, ka përfunduar ai.