×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministrja Bajrami thotë se përgjegjësi për vjedhjen e 2 milionëshit ka edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës

    Reporteri
    26 Tetor 2020 | 22:40

    Labinot Gruda, zyrtar i Thesarit të Kosovës, do ta kishte të pamundur të kryente vjedhjen e 2.1 milionë eurove, sikur në Ministrinë e Infrastrukturës, të mos ishte neglizhuar një njoftim që do duhej t’i dërgohej Thesarit, i cili ende nuk dihet nëse është bërë me qëllim apo pa të. Gruda ka përdorur ‘userin’ e një zyrtari të Ministrisë së Infrastrukturës për t’i çertifikuar pagesat, zyrtar ky që nuk punonte në këtë ministri prej nëntë muajsh. E fajtor që llogaria e këtij zyrtari ishte e ende aktive edhe nëntë muaj pasi ai nuk punonte në këtë ministri, është zyrtari kryesor administrativ në MI, e që në këtë rast është Sekretari i Përgjithshëm, Izedin Bytyqi.


    Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një intervistë në T7, e ka spjeguar në detaje se si Labinot Gruda, e ka kryer vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ajo ka bërë të ditur, se Gruda me përvojë 11 vjeçare në punën e tij, ka qenë përgjegjës për të krijuar ‘usera’ (llogari) për zyrtarët tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe për të kryer vjedhjen e 2.1 milonë eurove, ka kishte krijuar ‘usera’ fiktiv, të cilët më pas i kishte përdorur vetë, duke kryer procedurat administrative për porosi dhe pagesa përmes tyre.

    Por, pavarësisht përdorimit të këtyre llogarive fiktive që i kishte krijuar vetë, Gruda nuk do të mund t’i transferonte paratë në llogarinë e LDA Group, sikur mos të mund t’i çertifikonte pagesat përmes një llogarie të një zyrtari në Ministrinë e Infrastrukturës. Edhe këtu, Gruda e kishte bërë çertifikimin vetë, pasi në këtë rast i kishte thyer paswordin këtij zyrtari, i cili prej nëntë muajsh nuk punonte në MI, por që zyrtarët e kësaj ministri nuk e kishin njoftuar Thesarin se kolegu i tyre më nuk punonte aty, dhe që llogaria duhej të i mbyllej.

    Ministrja Bajrami ka thënë se në rrethana normale, kur Gruda i ka ristartuar paswordin zyrtarit të MI’së, atij do të duhej t’i shkonte një njoftim me email, dhe sikur ai të ishte duke punuar në MI, nuk do ta alarmonte situatën. Por, ai meqë nuk ka qenë duke punuar në MI, nuk ka pasur mundësi as ta shohë këtë email njoftues, që shkon në formë automatike.

    I dyshuari Labinot Gruda, sipas ministres ka përdorur emrin e këtij zyrtari që para 9 muajsh ka lënë punë në MI. E pyetur se përgjegjësi e kujt ka qenë njoftimi, ajo thotë që bie mbi zyrtarin kryesor administrativ, që në këtë rast i bie të jetë Sekretari i Përgjithshëm i MI-së. Aktualisht këtë pozitë e mbanë Izëdin Bytyqi, i cili më herët ishte serketar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

    Bytyqi u bë sekretar në MI kur në krye të ketij institucioni erdhi Lumir Abdixhiku.

    “Në vijë me vlerësimin e performancës së Izedin Bytyqi, sekretar i përgjithshëm në ish-ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kërkoj nga ju pëlqimin për ricaktimin e tij në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit”, ka thënë para kabinetit qeveritar ministri Abdixhiku në shkurt të vitit 2020.

    Izedin Bytyqi

    Pra, Bytyqi ishte votuar nga Qeveria Kurti në pozitën që aktualisht mbanë.

    Tutje sipas ministres së financave, përgjegjësia e MI-së nuk përfundon këtu. Sipas saj, ky rast do te duhej të lajmërohej më herët në thesar nga zyrtari financiar kryesor dhe drejtori i buxhetit në Ministrinë e Infrastruksturës.

    Transferi i 2 milionëshit nga Thesari i Shtetit kishte ndodhur më 9 tetor, ndërsa lajmi tek Ministia e Financave nga Ministria e Infrastrukturës kishte shkuar më 20 tetor.

    Labinot Gruda është zyrtar që ka punuar 11 vite në thesar dhe është i dyshuari kryesor për këtë transfer. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!