Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili pretendoi se është objekt i një fushate linçuese dhe se në shënjestër janë vënë edhe familjarët e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se familja e Ramës nuk duhet të jetë pjesë e debatit politik, por theksoi se kjo nuk mund të përdoret për t’iu shmangur sqarimeve lidhur me pretendimet që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës publike.

“Përparim, familja jote nuk është dhe nuk duhet të jetë pjesë e debatit politik. Për këtë nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Por as familja nuk mund të përdoret si mburojë për t’iu shmangur pyetjeve që lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit tënd publik”, ka shkruar Sveçla.

Reklamë

Ai ka mohuar se ndonjë asamblist i LVV-së ka publikuar mesazhe që lidhen me familjarët e kryetarit të Prishtinës, duke kërkuar që debati të fokusohet te pretendimet e ngritura.

“Mos u viktimizo dhe mos e zhvendos debatin aty ku nuk është. Sqarohu për përmbajtjen e mesazheve të publikuara. Sqarohu për pretendimet për korrupsion. Sqarohu për legalizimet e pretenduara si të paligjshme dhe për rolin e bashkëpunëtorëve të tu në këto raste”, ka theksuar ai.

Sveçla shtoi se, nëse pretendimet janë të pavërteta ose mesazhet janë të manipuluara, Rama duhet ta thotë këtë publikisht.

“Nëse pretendimet janë të pavërteta, thuaje qartë. Nëse mesazhet janë të manipuluara, thuaje qartë. Nëse ajo që pretendohet se është bërë në emrin tënd nuk ka ndodhur, thuaje qartë. Llogaridhënia nuk është linçim. Kërkimi i përgjigjeve për dyshime serioze që lidhen me ushtrimin e pushtetit nuk është çnjerëzor. Është detyrë e opozitës dhe e çdo përfaqësuesi të zgjedhur”, ka shkruar ai.

Në fund, Sveçla tha se Prokuroria duhet ta zbardhë rastin, ndërsa kërkoi nga Rama që deri atëherë të japë përgjigje për pretendimet që janë ngritur ndaj tij dhe qeverisjes së tij.

Reklamë

“Prokuroria le ta bëjë punën e saj dhe ta zbardhë rastin deri në fund. Deri atëherë, asgjë nuk të pengon që publikisht të sqarohesh për pretendimet që janë ngritur ndaj teje dhe qeverisjes tënde. Familjen lëre jashtë. Edhe ne e kemi lënë jashtë. Për pretendimet që lidhen me ty dhe qeverisjen tënde, përgjigju”, përfundon reagimi i Sveçlës.