Muharremaj pas dorëzimit të peticionit: Presim nga Kuvendi ta marrë vendimin

Pas dorëzimit të peticionit të nënshkruar nga 11 mijë qytetarë nga ku u kërkua shfuqizimi i Ligjit për Lojërat e Fatit, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se ky peticion ka ardhur si rezultat i kërkesave të qytetarëve.

“Sot patëm takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës ku kemi dorëzuar peticionin dhe presim që vendimin ta marrë Kuvendi i Kosovës”, tha Muharremaj, duke shtuar se edhe kryeparlamentari Kadri Veseli e ka mirëpritur këtë iniciativë, derisa e ka ftuar që vetë ai ta japë kontributin e tij në komisionin i cili do të merret me këtë çështje pasi që Qeveria ta marrë vendim për shfuqizimin e ligjit.

Sa i përket shanseve që sot Qeveria në mbledhjen e saj nga ora 14:00 ta marrë këtë vendim, kryetari i Suharekës tha se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar, por pret të ndodhë kjo gjë.

“Nuk është çështje e imja. Jam kryetar i komunës dhe nuk jam pjesë e Qeverisë. Ne kemi dorëzuar kërkesën e qytetarëve që kanë kërkuar që ky ligj të shfuqizohet në Kuvendin e Kosovës. Ne e kemi dorëzuar sot zyrtarisht kështu që obligimin tim si qytetar, kryetar dhe si Asamble Komunale e kemi përfunduar sot derisa presim që vendimin ta marrë organi më i larë i shtetit – Kuvendi i Kosovës”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se ky peticion nuk është meritë e kryetarit të komunës dhe as e Asamblesë Komunale por e qytetarëve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka folur për media pas takimit, por ai gjatë takimit në zyrën e tij është shprehur i gatshëm ta mbështesë këtë iniciative.

Veseli ka thënë, po ashtu, se para pak ditësh është votuar në Kuvend rezoluta e cila i kërkon Qeverisë t’i pezullojë aktivitetet e të gjitha lojërave të fatit.