Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa është deklaruar pas dështimit të 35-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se përgjegjësia e plotë bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje.
“Partia që ka shumicën nuk arriti të sigurojë as sot votat e mjaftueshme. Konform Kushtetutës, partisë që del e para në zgjedhje i takon ekskluzivisht të nominojë kryetarin e Kuvendit dhe i takon përgjegjësia për të siguruar votat”, ka thënë ai.
Ai foli edhe për krizën e fundit në sektorin e energjisë.
Mustafa theksoi se Kosova është në prag të një krize serioze për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese dhe varësisë në rritje nga importi
“Në rrethana normale prodhimi vendor është rreth 800 megavat, ndërsa për momentin kemi vetëm 110. Pjesa më e madhe po importohet. VV-ja ka kundërshtuar vazhdimisht ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, duke e lënë Kosovën në kushte të rënda të varësisë energjetike”, u shpreh Mustafa.
Ai shtoi se përfituesit kryesorë nga ky import energjie janë njerëz të afërt me Vetëvendosjen, ku përmendi Marin Berishajn.
“Kriza politike, energjetike dhe ekonomike është rezultat kryekëput i veprimeve apo mosveprimeve të LVV-së”, tha ai. /Reporteri.net/.