Gazeta amerikane NYT: Merkel e Macron së pari t’i pajtojnë Thaçin e Haradinajn, e më pas Kosovën e Serbinë

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, janë takuar me udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë në Berlin, të hënën, në përpjekje për të gjetur diçka të madhe: një rrugë drejt një marrëveshjeje paqësore ndërmjet dy vendeve ballkanike, pothuajse 20 vjet pas përfundimit të një lufte mes tyre, shkruan The New York Times, të hënën.

Por, nëse shpresojnë për zbutjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për thyerjen e një bllokade në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, atëherë analistët thonë se ata duhet fillimisht të ndërmjetësojnë një tjetër paqe, ndërmjet dy udhëheqësve të Kosovës, thotë gazeta e përditshme amerikane.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë sugjeruar, gjatë një takimi në Austri, në gusht, se një marrëveshje përfundimtare mund të përfshijë një shkëmbim territoresh dhe ndryshime kufijsh.

Thaçi beson se “një marrëveshje e tillë do të rezultonte në njohjen e Kosovës nga Serbia”. Kjo do t’i hapte rrugën shumë përfitimeve të tjera: Ndonëse Kosova e ka shpallur formalisht pavarësinë e saj më 2008, pasi NATO’ja e largoi atë nga kontrolli i Serbisë nëpërmjet një fushate bombardimesh më 1999, Serbia deri më tani e ka penguar atë në rrugën drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë, dhe dhjetëra vende të tjera ende refuzojnë ta njohin atë. Një marrëveshje po ashtu do të mund të hiqte një barrierë ndaj Serbisë, që një ditë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është fuqishëm kundër çfarëdo prekjeje të kufijve. Ai ka thënë se ideja do të çonte drejt “tragjedisë”. Dhe, qëndrimi i tij i ka shërbyer si armë e fortë në rivalitetin e tij të moçëm me Thaçin.

Propozimet janë të papëlqyeshme edhe për serbët – shumica e të cilëve vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të Serbisë, një pjesë që zë vend thelbësor në historinë e saj kombëtare – edhe për kosovarët, të cilët i konsiderojnë ato që po diskutohen si ndarje të shtetit të tyre të ri në vija etnike.

Në Kosovë, popullariteti i Thaçit ka pësuar rënie drastike. Ai krahasohet në shkrime nëpër mure të kryeqytetit, Prishtinë, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Kosova nuk është Krime”, thuhet në një fjali, në anglisht.

Haradinaj i ka shfrytëzuar reagimet popullore ndaj asaj që nganjëherë shihet si marrëdhënie e ngrohtë e presidentit me Serbinë, duke lëvizur në një drejtim që shumë njerëz thonë se e forcon shtetësinë e Kosovës. Në dhjetor, Kuvendi ka aprovuar ligjet për të formuar ushtrinë, duke nxitur kritika nga NATO’ja, e cila ruan paqen e brishtë.

Pak ditë më vonë, qeveria e Haradinajt ka vënë tarifa prej 100 për qind ndaj eksporteve serbe në Kosovë, në hakmarrje ndaj sabotimit që Beogradi po i bën anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç janë Interpol dhe Unesco. Që të dy vendimet kanë qenë ndër më të pëlqyerat që i ka ndërmarrë një qeveri në Prishtinë në një dekadë pavarësi.

Në një intervistë me The New York Times, Thaçi e ka hedhur poshtë sugjerimin për një luftë për pushtet me kryeministrin, Haradinajn. Ai ka thënë se dy burrat kanë qenë “shokë armësh” në luftën për pavarësi, dhe “tani jemi miq”.

Por, ata kanë dallime, ka pranuar Thaçi. “Unë jam optimist. Besoj se mund ta arrijmë një marrëveshje që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia, përderisa kryeministri është më skeptik rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Thaçi.

Haradinaj i ka thënë gjërat më troç, në një intervistë për NYT. “Eksperimentimi me kufij është jokushtetues. S’ka të bëjë asgjë me personalitetin apo pushtetin. Kemi të bëjmë me fatin e vendit tonë”, është shprehur ai.

“Kushdo që mbështet këtë ide për Kosovën, e ka gabim. Nuk është për Kosovën, por për vetëm një njeri – presidentin”, ka shtuar Haradinaj.

Lulzim Peci, ish-ambasador i Kosovës në Suedi, dhe tani drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, thotë se popullit i ka ardhur në majë të hundës përplasja mes tyre.

“Këta dy udhëheqës janë udhëheqës të së kaluarës”, ka thënë Peci. “Këto armiqësi janë toksike për të ardhmen e Kosovës, e cila duhet të jetë një shtet shumetnik dhe qytetar, me të drejta njeriu për të gjithë”.

Takimi i tyre në Berlin është “një vendvarrim i ideve për ndarje etnike dhe shkëmbime territoresh, që nuk janë pjesë e të ardhmes në këtë rajon”, ka shtuar Peci. /express/