Fatmirësisht EULEX nuk ka vërejtur prani të ngjashme të armatosur si ato në barrikadat e ngritura më 31 korrik në pjesën veriore të Kosovës.

Kështu u përgjigj Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, pyetur rreth ndonjë pranie potencialisht përshkallëzuese të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, në kontekstin e përfafrimit të përmbylljes së procesit të ri-regjistrimit të targave në RKS për qytetarët serbë të Kosovës të cilët ende qarkullojnë me targat ilegale që lëshohen nga MPB-ja serbe.

Si reagim ndaj, siç thotë EULEX-i, “pranisë së konsiderueshme dhe shqetësuese, të armatosur në barrikadat e ngritura në Kosovë”, ata kanë shtuar patrullimet dhe vëzhgimet në atë pjesë. Andaj, ata i thonë gazetës online Reporteri.net se “fatmirësisht nuk kemi hasur në ndonjë prani të ngjashme që nga ajo kohë”.

Reklamë

EULEX shprehet se njësia e saj prej 105 policësh polakë janë duke kryer patrollime të përditshme në atë zonë “për të kuptuar më mirë situatën”. Gjithashtu, ata thanë se janë në “bashkërendim të ngushtë” me Policinë e Kosovës dhe forcen paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR’in.

“EULEX’i qëndron i gatshëm të veprojë me vendosmëri si reagues i dytë i sigurisë për uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e të gjithëve nga çdo kërcënim”, u përgjigj misioni evropian për Reporteri.net.

Afati i fundit për konvertimin e targave ilegale si “KM, PZ, UR, etj” është 31 tetori, ka ritheksuar kryeministri kosovar, Albin Kurti, ndonëse ShBA dhe BE i kanë kërkuar qeverisë që ky afat të shtyhet edhe për një periudhë dhjetë-mujore.

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë vendimin për konvertimin e targave për dy muaj, në pragë të tensioneve të 31 korrikut./Reporteri.net/