Shugurimi i Kryepatriarkut të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës ka nisur mëngjesin e së premtes, ngjarje kjo e cila po mbikëqyret nga Policia e Kosovës dhe forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR-i, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Afro 300 vetura qytetarësh të komunitetit serb të Kosovës janë parë të kenë shkuar për të marrë pjesë në shugurimin e kryepatriarkut serb.

Pjesëmarrës gjithashtu janë parë të jenë përfaqësuesit politik të Listës Serbe, si Goran Rakiç dhe Igor Simiç, por nuk duket prezent gjëkundi Milan Radoiçiç, personazh ky i kërkuar nga autoritetet kosovare.

Reklamë

Reporteri.net ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës rreth prezencës dhe masave eventuale në rast të pjesëmarrjes së Radoiçiç në shugurim.

I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, u ndalua të marrë pjesë në këtë eventiment.

Kryeministri kosovar Albin Kurti kur u pyet për ndalesën ndaj Petkoviçit tha se lajmi duhet të jetë që është lejuar patriarku Porfirije, dhe se tek kjo duhte përqendruar.

Kurti tha se do të ishte shumë mirë që Patriarku Porfirije të distancohej nga qëndrimet e tij pro-Kremlinit dhe të dënonte agresionin rus.

Reklamë

Porfirije si kryepatriark ka pikëpamje tejet problematike sa i përket Ballkanit, ku vetëm kohëve të fundit avokoi se kufijt janë artificial dhe ato mund të ndërrohen.

Gjatë inaugurimin të tij si Krypatriark i Kishës Ortodokse Serbe, kur u pyet për Kosovën, ai kishte thënë se “referendumi serb për Kosovën është mbajtur më 1389 në Vidovdan”.

Shugurimi vjen në një kohë kur Beogradi thekson se është nën presion të madh nga Perëndimi për të ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës.

Reklamë

Në fronëzimin e kreut të mëparshëm, Patriarkut Irinej, në Patriarkanën e Pejës mori pjesë edhe presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiç.

Patriarkana e Pejës, edhe pse në dioqezën Rashko-Prizren, është një manastir nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të kreut të kishës serbe.

Patriarku Porfirije është patriarku i 46-të serb dhe kreu i 57-të i kishës serbe, sepse më parë ata ishin kryepeshkopë, duke filluar nga kryepeshkopi i parë, Shën Sava./Reporteri.net/