Pas caktimit të masës së parabugrmit ndaj Ganit Gecit, është publikuar  vendimi i plotë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas raportimit të Betimi për Drejtësi, Geci ka mohuar se e ka kanosur Mehmetajn, duke deklaruar në seancën dëgjimore se kishte kërkuar mbrojtjen e familjes së tij dhe se nuk kishte ndërmend të arratisej.

“Prokuroria është marrë vetëm me prova fajësuese dhe nuk ka marrë parasysh provat fajësuese. Po ashtu ka shtuar se nuk do të arratisem pasi nuk jam arratisur asnjëherë”, citohet të ketë deklaruar Geci.

Reklamë

Ai ka pretenduar gjithashtu se në rastin konkret dëshmitar është vetëm babai i gazetarit Mehmetaj dhe se nuk ka mundësi të ndikojë tek ai.

Prokurori i rastit, Blerim Igrishta, ka qëndruar pranë kërkesës për caktimin e paraburgimit, ndërsa avokati mbrojtës i Gecit, Besnik Berisha, e ka kundërshtuar atë, duke pretenduar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për këtë masë.

Sipas raportimit të “Betimit për Drejtësi”, Berisha ka deklaruar se veprimet e klientit të tij kishin për qëllim mbrojtjen e familjes, pasi, sipas tij, nipi i Gecit, deputeti Fatos Geci, ishte ndier i dëmtuar nga deklaratat e Mehmetajt, të cilat e lidhnin atë me Beogradin.

Avokati ka pretenduar se Geci nuk kishte pasur qëllim ta kanoste gazetarin dhe se nuk ekzistonte rreziku për ndikim në prova apo përsëritje të veprës penale.

Arsyetimi i Gjykatës

Reklamë

Në vendimin për caktimin e paraburgimit, Gjykata Themelore ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Geci ka kryer veprën penale të kanosjes, duke iu referuar provave të bashkëngjitura kërkesës së Prokurorisë.

Sipas vendimit, në deklaratën e tij, Mehmetaj ka raportuar se Geci i kishte thënë: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”, si dhe “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.

Gjykata ka marrë parasysh edhe komunikimin mes Gecit dhe Mehmetajt në Facebook, përmes të cilit, sipas vendimit, Geci i kishte kërkuar gazetarit ta largonte postimin që lidhej me Fatos Gecin, por Mehmetaj kishte refuzuar.

Një tjetër rrethanë e vlerësuar nga Gjykata ishte shkuarja e Gecit pranë televizionit “Dukagjini”, ku ndodhej gazetari, si dhe publikimi i këtij veprimi në TikTok. Sipas vendimit, Geci kishte pritur rreth dy orë që Mehmetaj të dilte nga studioja.

Reklamë

Gjykata ka vlerësuar se këto veprime, të shqyrtuara në kontekstin e tyre, mund të përbëjnë presion ndaj gazetarit për ta detyruar të veprojë sipas kërkesave të të dyshuarit.

“Këto fjalë, të vlerësuara në kontekstin në të cilin janë përdorur, tregojnë se kanosja të jetë shfrytëzuar si mjet presioni për ta detyruar të dëmtuarin të veprojë sipas kërkesës së të pandehurit”, thuhet në vendim.

Sa i përket rrezikut të arratisjes, Gjykata ka vlerësuar se rrethanat e paraqitura nga Prokuroria nuk janë të mjaftueshme për ta arsyetuar atë. Po ashtu, nuk ka konstatuar se ekziston rrezik për ndikim në prova, duke theksuar se ky rrezik duhet të mbështetet në rrethana konkrete dhe objektive.

Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale ose i ndërmarrjes së veprimeve për realizimin e kanosjes së pretenduar, pasi konflikti mes Gecit dhe Mehmetajt nuk është zgjidhur.

Reklamë

Sipas arsyetimit, as masa e arrestit shtëpiak nuk do të ishte e mjaftueshme, pasi presioni ndaj gazetarit mund të vazhdonte edhe përmes komunikimit elektronik, pa pasur kontakt të drejtpërdrejtë.

Kundër vendimit për caktimin e paraburgimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 48 orësh.