×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia hodhi gaz lotsjellës, disa qytetarë në Kamenicë përfundojnë në spital

    Reporteri
    23 Maj 2021 | 15:50

    Një përplasje mes zyrtarëve policorë dhe banorëve të fshatit Shipashnicë e Poshtme të Kamenicës, ka ndodhur sot si pasojë e kundërshtimit të banorëve për mbylljen e shkollës në këtë fshat.


    Në këto përplasje mes qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, disa banorë të këtij fshati, kanë mbaruar në Spital duke marrë trajtim mjekësor.

    Në fotografitë që ka siguruar Reporteri.net, disa qytetarë janë duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rogoçicë të Kamenicës.

    Bazuar në këto pamje, ata shihen që janë lënduar si pasojë e këtyre përplasjeve në Shipashnicë.

    Gjithashtu, gjatë ditës së sotme, Gazeta Online “Reporteri.net” ka raportuar për këtë ngjarje, gjersa ka publikuar edhe një video ku zyrtarët policorë shihen duke hedhur gaz lotsjellës ndaj banorëve të këtij fshati.

    Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për Reporteri.net se situata është e tensionuar.

    “Ju njoftojmë se me 23 maj 2021 te shkolla fillore në fshatin Shipashnicë e Poshtme komuna Kamenicë, banorët e fshatit e kanë bllokuar derën e hyrjes së shkollës me qëllim për mos t’i lenë zyrtarët komunal që të vendosin brenda kësaj shkolle inventarin për fëmijët parashkollorë.

    Në vendin e ngjarjes janë tri patrolla policore të PK-së , mirëpo situata paraqitet e tensionuar. Aty janë mbledhur rreth 50 banor të fshatit në shenjë pakënaqësie ku me ketë rast janë sulmuar zyrtarët komunal ku është përdorur edhe sprej nga ana e zyrtarëve policorë”, tha Hashani ndër tjera, gjersa shtoi se për detaje të tjera do të njoftojnë me kohë.

    Për këto tensione, pati reagime të ndryshme.

    U.d. kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha sse këto janë përplasje politike ndërmjet qeverisë së Albin Kurtit dhe kryetarit të Kamenicës që po ashtu është zgjedhur nga VV.

    “Në vend që kryeministri e ministrja e Arsimit të ulen me kryetarin e komunës e të gjejnë zgjidhje për hapjen e shkollave në Kamenicë, ata po i përdorin nxënësit për të krijuar drama para zgjedhjeve lokale”, tha Hoxhaj.

    Po ashtu, edhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se  është vërtetë për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti nga disa të badihavaxhinj.

    “Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, Ministrja Nagavci me çasjen e saj po hedhë benzin në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme”, u shpreh Kastrati.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!