×
  • Lajme
  • Lajme

    Paqartësitë e dialogut Kosovë-Serbi

    Reporteri
    10 Mars 2019 | 13:05

    Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten platformën për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.


    Megjithatë, ende mbetët e paqartë çështja e vazhdimit të bisedimeve në Bruksel, meqë Qeveria e Kosovës ende e mban në fuqi taksën e vënë ndaj mallrave që vinë nga Serbia. Kjo e fundit i ka lëshuar bisedimet në nëntor të vitit që shkoi duke e kushtëzuar dialogun me shfuqizimin e taksës 100%.

    Ekipi shtetëror për bisedimet me Serbinë kohët e fundit është marrë intensivisht me finalizimin e proceseve pas së cilave ata do të kishin legjitimitetin që të zhvillojnë bisedimet me Serbinë në Bruksel.

    Partitë në pushtet në Kosovë, me gjithë mos-pajtimin e partive opozitare, ia dolën të miratojnë në Kuvendin e Kosovës platformën e dialogut me Serbinë, por nuk dihet se a do të mund të arrijnë të ecin tutje me bisedimet në Bruksel, derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e tërheq vendimin e ekzekutivit për taksën 100% ndaj mallrave serbe, të vendosur në nëntor të vitit 2008.

    Beogradi zyrtar ka deklaruar se nuk ulën në tavolinën e bisedimeve derisa nuk hiqet taksa ndaj produkteve serbe.

    Ndërkohë, Kosovës i kanë ardhur kërkesa për pezullimin e taksës edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Megjithatë, kryeministri i Kosovës vazhdon të qëndrojë i palëkundur sa i përket qëndrimit për taksën, për të cilën thotë se do ta tërheq kur Serbia të njoh shtetësinë e Kosovës.

    Njohësi i çështjeve politike, Behlul Beqaj thotë se derisa Beogradi zyrtar konsideron se zgjidhja e çështjes me Kosovës është te kufiri mes serbëve dhe shqiptarëve, taksa duhet të jetë edhe më e fuqishme.

    Beqaj: Taksa duhet me qenë edhe më e fuqishme

    “Qëndrimi i tyre zyrtar në procesin e dialogut është korrigjimi i kufijve, prandaj derisa Serbia e ka këtë koncept të dialogut, besoj se taksa duhet me qenë edhe më fuqishme se që ka qenë deri më tash për shkak se paraqitet si pengesë për integritetin territorial të Kosovës”, thotë ai.

    E Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se taksa është duke mbuluar diskutimet më të thella rreth procesit të dialogut Kos9ovë-Serbi.

    Krasniqi: Taksa është vetëm justifikimi i diskutimeve prapa skenave
    “Taksa është duke mbuluar diskutimet që janë më të thella rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi, diskutime që lidhen me ndryshim të kufijve, me këto tezat të cilat jemi duke i dëgjuar së fundmi, ndërrimit të kufijve, çështjes shqiptaro-serbe, po duket sikur taksa është vetëm justifikimi i diskutimeve prapa skenave, apo edhe ajo çka po shohim mes institucioneve, dhe mungesës së konsensusit në mes të institucioneve, krerëve të shtetit dhe spektrit politik rreth qasjes së Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi”, deklaron ajo.

    Sipas saj, është nevojë urgjente ndërtimi i një konsensusi të përgjithshëm shtetëror mbi çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, meqë siç thotë ajo, vazhdon të ketë polarizim në mes të qëndrimeve të krerëve të shtetit.

    Krasniqi thekson se duhet të ketë një qëndrim të përbashkët, por duke mos rrezikuar shtetësinë e Kosovës, bazuar në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
    Analisti Behlul Beqaj, thotë se çështja e ekipit negociator ka pas ide të mira, por duke përmendur letrën e presidentit Trump dërguar Vuqiqit dhe Thaçit, Beqaj thotë se ekipi shtetëror i Kosovës do të mund të shkojë në Bruksel vetëm sa për ‘sy e faqe’.

    Beqaj: Ekipi do të shkojë në Bruksel vetëm sa për të profilizuar vetën
    “Do të shkojë vetëm sa për ta profilizuar vetëm më tepër, dhe sa për sy e faqe, për arsye se çështja e dialogut, pavarësisht se çfarë po bëjmë ne si duket është një farsë e cila aspektin real e ka në letrën që e ka dërguar presidenti Trump presidentit Aleksandër Vuqiq dhe presidentit Hashim Thaçi, ku ai i fton që të festojnë në marrëveshjen historike në mes Serbisë dhe Kosovës, që do të thotë se faktikisht dhëndri dhe nusja janë marrë vesh, protagonistët duhet vetëm me qenë aty së bashku me mysafirët që ta festojnë këtë akt i cili qenka i kryer. Pra, nëse është kjo ftesë reflektim i një dialogu tjetër për të cilin nuk dimë fare e i cili paska ndodh, atëherë mendoj se çdo gjë që është krijuar ndërkohë është farsë, dhe imitim i dialogut”, thotë ai.

    Në platformën e votuar nga Kuvendi i Kosovës, theksohet që Kosova pret që procesi i dialogut të intensifikohet dhe përshpejtohet në vitin 2019, me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Serbia vazhdon të kushtëzojë dialogun me pezullim të taksës, ndërkohë bashkësia ndërkombëtare dhe aleati kryesor i fuqishëm i Kosovës(ShBA) në vazhdimësi po i bëjnë thirrje Kosovës që të rishikojë vendimin për taksën në mënyrë që sa më shpejtë të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!