Rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Bullgari tregojnë se partia e qendrës së djathtë “Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë” (GERB) e liderit shumëvjeçar Bojko Borisov përfundoi me përqindjen më të lartë të votave, raporton gazeta online Reporteri.net.

Rezultatet nga 99 për qind e votave të numëruara treguan më 3 tetor se GERB fitoi 25.4 për qind të votave, ndërsa partia “Ndryshimet e vazhdueshme” (PP) e ish-kryeministrit Kirill Petkov doli e dyta me 20.2 për qind në zgjedhjet e katërta të Bullgarisë në më pak se dy vjet.

Rezultatet përfundimtare zyrtare, të cilat do të përfshijnë fletëvotimet nga jashtë, priten më 5 tetor. Pjesëmarrja e votuesve më 2 tetor u vlerësua në rreth 30 për qind. Petkov dhe ish-ministri i financave Asen Vasilev, bashkëkryetar i partisë PP, pranuan rezultatet dhe deklaruan se nuk do të marrin pjesë në një koalicion me GERB.

Reklamë

“Përgjegjësia e GERB është të formojë qeverinë. Ne premtuam se nuk do të marrim pjesë kurrë në koalicion me GERB dhe Lëvizjen për të Drejta dhe Liri (DPS) dhe do ta mbajmë premtimin”, tha Petkov. Vasilev shtoi se GERB dhe DPS janë gjithashtu një “simbol i korrupsionit” në politikën bullgare.

Bullgaria është rrënuar nga ngërçi politik që nga viti 2020, kur u trondit nga protesta në të gjithë vendin ndërsa zemërimi publik mbi vitet e korrupsionit vloi. Pjesa më e madhe e zemërimit u drejtua te Borisov dhe GERB. Qeveria më e fundit, e udhëhequr nga Petkov, ra në qershor pas vetëm gjashtë muajsh kur një nga partnerët e saj të koalicionit dha dorëheqjen.

Petkov dhe PP pro reformës luftuan për të përmbushur premtimin e tyre për të luftuar korrupsionin. Petkov gjithashtu mbështeti Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë në një vend tradicionalisht miqësor me Moskën dhe akuzoi Kremlinin se ndihmoi në orkestrimin e rënies së qeverisë së tij, e cila refuzoi të paguante gazin në rubla siç kërkonte Rusia.

Zgjedhjet u karakterizuan nga mungesa e entuziazmit politik, me një pjesëmarrje prej vetëm 25 për qind të votuesve deri në orën 16:00. Pas votimit më herët më 2 tetor, Borisov u tha gazetarëve se Bullgaria duhej të pozicionohej qartë në luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.

“Me këtë agresion, këtë luftë, me një agresor të qartë përballë (Presidentit rus Vladimir) Putin – (nuk kam) asgjë kundër popullit rus – me këtë farsë me referendume, Bullgaria duhet të jetë shumë e qartë, kategorike dhe precize në lidhje me vend në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha ai dhe shtoi se hyrja e Bullgarisë në Eurozonë duhet të jetë detyra e parë dhe më e rëndësishme./RFE/Reporteri.net/

Reklamë