×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK-ja do të iniciojë seancë të jashtëzakonshme dhe rezolutë kundër shtrenjtimit të rrymës

    Reporteri
    20 Janar 2022 | 14:30

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në një konferncë për media ka thënë se PDK-ja do të iniciojë seancë të jashtëzakonshme.

    Tahiri ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mospërkrahje të mocionit të PDK-së, duke thënë se Kosova është vendi i fundit që po diskuton për ndërmarrjen e masave lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    “Si po shkon puna, Kosova do të jetë një nga 10 vendet që do të paguaj më së shtrenjti energjinë elektrike në Evropë. Është duke u manipuluar me të madhe në lidhje me shifrat dhe statistikat për furnizim nga ana e qeverisë. Si opozitë, ne nuk do të ndalemi. Do të punojmë dhe do të përdorim të gjitha instrumentet për të ftuar në seancë të jashtëzakonshme kryeministrin Kurti që të mos lejojmë ngritjen e çmimit të energjisë. Secila familje kosovare, sado e vogël të jetë ajo, do të kaloj 600 kwh energji elektrike brenda muajit dhe do të preken nga rritja e çmimit të energjisë. Pagat nuk janë rritur, prandaj, pagat e qytetarëve tanë, mësuesve, policëve, të sektorit privat, nuk do të mund ta përballojnë rritjen e çmimit të energjisë.”, ka theksuar Tahiri.

    Tahiri ka paralajmëruar se PDK do kundërshtoj vazhdimisht këtë tendencë, duke paralajmëruar edhe një seancë të jashtëzakonshme ku do të iniciohet një rezolutë e cila parandalon ngritjen e çmimit të energjisë.

    “Ne kemi qenë kundër, do të jemi kundër dhe nuk do të ndalemi në kundërshtimin e këtij vendimi të qeverisë. Qytetarët tanë nuk e meritojnë këtë abuzim. Një debat parlamentar për rritjen e çmimit të energjisë është shumë i domosdoshëm. Miratimi i një rezolute e cila i kërkon ZRRE-së që të mos lejoj ngritjen e çmimit të energjisë është e pashmangshme. Si Grup Parlamentar, për ne, më e rëndësishmja sot është parandalimi i ngritjes së çmimit të energjisë. Është e paparanueshme që të paguajmë rrymën më së shtrenjti në Evropë. E ftojmë kryeministrin që të jetë më i përgjegjshëm karshi kësaj situate sepse sot për sot nuk ka brengë më të madhe për qytetarët sesa furnizimi me energji.”, ka përfunduar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!