Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca janë mbledhur me grupet e tyre parlamentare në objektin e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet sonte, para skadimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, gjatë një konference për media ka thënë se vendi ndodhet në një moment kritik për demokracinë dhe institucionet.
“Demokracia nënkupton respektimin e rregullave, ligjeve dhe rregulloreve mbi të cilat jemi ndërtuar si shtet. Albin Kurti, me një kryeneçësi të paparë, po refuzon të respektojë çdo rregull, çdo ligj, çdo normë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se PDK nuk do të bëhet pjesë e, siç e ka quajtur, përmbysjes së rendit kushtetues.
“Ne jemi mbledhur sonte këtu, e kemi takimin e Grupit Parlamentar dhe do t’ju njoftojmë për vendimet tona, por një gjë do t’ju them: PDK nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues”, ka thënë Çitaku.
Sipas saj, Kushtetuta e Kosovës nuk përfaqëson vetëm një dokument juridik, por edhe sakrificat e qytetarëve për krijimin e shtetit.
“Kur flasim për Kushtetutën, shumë mund ta nënkuptojnë vetëm një libër, një copë letër, por ajo Kushtetutë nënkupton gjak, djersë dhe sakrifica të bëra jo vetëm në luftën e fundit, por me dekada e shekuj”, është shprehur ajo.
Çitaku i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, që të vijë në Kuvend dhe të vazhdohet procesi i konstituimit të institucioneve.
“I bëjmë thirrje Albin Kurtit që sonte të vijë në Kuvend, ta konstituojë Kuvendin dhe të ecim tutje. Edhe një herë, Kosova është më e madhe se çdo parti dhe se çdo lider”, ka deklaruar Çitaku.
Ndërkohë, edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet sonte, në mënyrë që Kuvendi të konstituohet brenda afateve kushtetuese.
Nga oborri i Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se deputetët kanë obligim t’i japin vendit institucione funksionale dhe se vonesat në këtë proces janë të papranueshme.
“Kuvendi i Kosovës të konstituohet sonte, brenda afateve kushtetuese. Vërtetë është për keqardhje që sillet institucioni më i lartë legjislativ në vend në një pozitë të tillë ku sfidohet edhe kushtetutshmëria edhe funksionaliteti, pamundësohet puna e deputetëve për çka kemi marrë legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët në institucionin më të lartë të Republikës”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Ajo ka theksuar se deputetët e LDK-së janë të gatshëm të marrin pjesë në seancë sapo të bëhet ftesa për vazhdimin e saj.
“Ne si deputetë të LDK-së jemi këtu dhe po presim ftesën që kurdo që thirret seanca të bëjmë konstituimin e Kuvendit dhe të fillojmë funksionalitetin e institucioneve”, ka deklaruar ajo.
Lushaku-Sadriu ka shtuar se, pavarësisht marrëveshjeve politike, obligimi i deputetëve është që Kosovës t’i sigurohen institucione funksionale.
“Pavarësisht marrëveshjeve politike, është obligimi ynë që t’i japim Kosovës institucione. Edhe njëherë po ju bëj thirrje, edhe kryesuesit të seancës që ta thërrasë seancën dhe të konstituohet Kuvendi”, ka përfunduar deputetja e LDK-së.
Edhe Aleanca ka kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet sonte. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se kanë dorëzuar kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme në orën 22:30.
“Si Grup Parlamentar kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme, e cila duhet të thirret sonte në orën 22:30, në mënyrë që ne, si deputetë të zgjedhur dhe të betuar në Kuvend, të mblidhemi dhe t’i kërkojmë kryesuesit ta thërrasë seancën dhe sonte ta kryejmë këtë punë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka thënë se nëse seanca nuk thirret, deputetët kanë të drejtë që me 40 nënshkrime të kërkojnë mbajtjen e saj.
“E drejta jonë, e cila është e theksuar saktë, na jep të drejtën që me 40 nënshkrime të hyjmë në sallë dhe me e nisë dhe përfundu sonte, ashtu siç është afati kushtetues. Në orën 23:59 sekonda përfundon afati kushtetues”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet procesi i konstituimit, duke thënë se po cenohet demokracia parlamentare dhe rendi kushtetues.
“Ajo çfarë jemi duke parë është, shkurt dhe shqip, një shkelje e rendit kushtetues nga partia që i ka fituar zgjedhjet, e cila me veprimet e saj është duke vendosur një shembull që pa asnjë dyshim është i rrezikshëm për vendin”, ka deklaruar ai.