Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë vendim si thellim të padrejtësisë ndaj tyre.

Sipas PDK-së, pas gati gjashtë vitesh paraburgim dhe një procesi gjyqësor disa vjeçar, shtyrjet e përsëritura nuk përbëjnë më çështje procedurale, por zvarritje të pajustifikueshme që, siç thuhet, cenojnë besimin në drejtësi dhe rëndojnë mbi të akuzuarit dhe familjet e tyre.

“Me shtyrjen e radhës së shpalljes së aktgjykimit në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Gjykata Speciale e ka thelluar padrejtësinë ndaj tyre,” thuhet në reagimin e PDK-së.

Reklamë

Partia Demokratike e Kosovës thekson se çdo vonesë e mëtejshme është e papranueshme dhe kërkon që vendimi përfundimtar të bazohet vetëm në ligj, në faktet e vërtetuara gjatë procesit gjyqësor dhe në standardet më të larta të drejtësisë.

PDK gjithashtu rithekson qëndrimin se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare, e mbështetur nga bota demokratike dhe e zhvilluar për lirinë e popullit të Kosovës.

“Lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Kjo e vërtetë historike nuk mund të zhbëhet nga asnjë proces gjyqësor dhe as të relativizohet nga zvarritjet e vazhdueshme,” thuhet më tej në reagim.

PDK kërkon përmbylljen sa më të shpejtë të procesit dhe shpreson që ish-krerët e UÇK-së të kthehen të lirë në Kosovë, pranë familjeve të tyre dhe qytetarëve të vendit.

Reklamë