×
  • Lajme
  • Lajme

    Për borxh KEDS’i lë pa rrymë tash tri ditë zjarrfikësit në Pejë

    Reporteri
    26 Prill 2019 | 23:32

    Zjarrfikësit e Pejës kanë tri ditë që kanë mbetur pa rrymë, kjo për shkak se ky institucion ka borxh ndaj KEDS-it.


    Një pjesëtar i zjarrfikësve i cili ka dashur të mbetet anonim, ka thënë se e kanë të vështirë të operojnë në këtë gjendje.

    Ai thotë se e kanë lajmëruar Komunën e Pejës që të ndërmarrin masa, mirëpo këta të fundit ende nuk kanë bërë asgjë që ky problem të zgjidhet.

    “Problem është me funksionu në këtë mënyrë sepse kemi aparatura që funksionojnë me anë të rrymës dhe në një situatë të tillë puna jonë është vështirësuar”, ka thënë ai.

    Sipas tij, KEDS ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë siguresat dhe kabllot, kurse ata tani po funksionojnë me anë të gjeneratorit.

    Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se arsyeje e shkyçjes ka qenë borxhi. Sipas tij, borxhi i tyre është mbi 6000 euro.

    Ai thotë se KEDS-i e ka për obligim që t’i trajtojë të gjithë konsumatoret në mënyrë të barabartë dhe shkyçja është masa e fundit që ndërmerr.

    “Fatkeqësisht ky konsumator nuk e ka bërë pagesën e borxhit pra nuk po i paguan faturat me rregull, prandaj KEDS nuk ka pasur zgjidhje tjetër. Borxhi total i tyre është 6275”, ka thënë ai.

    I pyetur drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, i cili fajin e ka hedhur tek Drejtoria për Emergjenca.

    Sipas tij, komuna ka mjete për të paguar borxhin mirëpo kjo ka mbetur si pasojë e neglizhencës së Drejtorisë për Emergjenca dhe Shpëtim.

    “Ka mjete për pagesë të rrymës, por është neglizhencë e Drejtorisë së Emergjencës që nuk e ka paguar apo pse nuk e ka sjellë faturën nëse rastësisht ajo Drejtori nuk ka pasur mjete me pagu”, ka thënë ai.

    Sipas tij, Njësia e Zjarrfikësve është nën ombrellë të Drejtorisë së Emergjencës.

    Koha.net ka provuar të kontaktojë me Muhamet Mahmutaj, drejtor për Emergjenca dhe Shpëtim, por të premten vonë një gjë të tillë e ka pasur të pamundur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!