Katër persona janë plagosur nga të shtënat në qendër të Podujevës të enjten pasdite.

Të plagosurit janë dërguar me urgjencë  Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Në pamjet dramatike, të publikuara, u panë njerëz të shtrirë në tokë në qendër të qytetit. Sipas pamjeve, fillimisht të përfshirët në këtë rast shihen duke u fjalosur e më pas nxirren edhe armët.

Reklamë

Policia fillimisht raportoi për tre të plagosur, ndërsa më vonë u konfirmua edhe i plagosuri i katërt.

Tre prej të plagosurve janë familjarë të përfshirë në ngjarje, ndërsa personi i katërt është një kalimtar i rastit.

Pas ngjarjes, Basri Shabani, nënkolonel në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë ndau detaje nga rasti.

Tre prej tyre kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident, ndërsa i katërti është një kalimtar i rastit, i cili fatmirësisht ka pësuar vetëm lëndime të lehta trupore”, ka deklaruar ai.

Reklamë

Shabani ka theksuar se motivet e ngjarjes ende nuk janë zbardhur. Ai ka bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim e sipër dhe se organet kompetente po mbledhin informacione për të sqaruar rrethanat dhe arsyet e incidentit.

Ai ka sqaruar gjithashtu edhe praninë e një zyrtari policor të veshur me rroba civile në vendin e ngjarjes.

“Zyrtari policor që ishte i veshur me rroba civile është hetues i Stacionit Policor në Podujevë. Ai ka qenë në detyrë zyrtare, ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndikuar që situata të mos përshkallëzohej edhe më tej”, ka thënë Shabani.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se hetimet e para tregojnë se të dyshuarit kanë lidhje familjare, konkretisht bëhet fjalë për nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar i përleshjes lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.

Reklamë

Sipas Prokurorisë, personat e përfshirë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.

Katër të plagosurit aktualisht po trajtohen në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Gjendja e të plagosurve është e rëndë, por stabile, ka bërë të ditur drejtori i Emergjencës, Naser Syla./Reporteri.net/