×
  • Lajme
  • Lajme

    Petkoviç shpalos një detaj të takimit Kurti-Vuçiç

    Reporteri
    19 Gusht 2022 | 9:43

    Autor: Xhezair Dashi


    Për takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë nuk u tha shumë, përveç se ai “nuk ishte normal, nuk ishte i rregullt, ishte i vështirë, palët s’mund të përafroheshin, nuk pati marrëveshje, etj”, siç tregoi edhe vetë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, shkruan “Reporteri.net”.

    Megjithëkëtë, kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç, i cili rëndom platformën sociale Twitter e shfrytëzon për të goditur kundërshtarët politikë, përveç se të propagandojë kundër shtetit të Kosovës, shpalosi një detaj brenda takimit.

    Kësaj here, cak i sulmit të tij, ishte ish-kryediplomati serb, Vuk Jeremiç.

    Albin Kurti të ka lavdëruar e të ka çuar në qiell për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë. Këtë mund të ta konfirmojnë të gjithë ata që ishin prezentë në takim”, i shkroi Petkoviç në një reagim Jeremiçit.

    Kujtojmë se Jeremiç sa shërbente si ministër i jashtëm serb në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës kishte kërkuar opinion sqarues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

    Përgjigja e GJND-së kishte qenë pozitive dhe definitive. Kosova dhe pavarësia e saj janë në plotëni në pajtim me ligjin ndërkombëtar, kishte konstatuar organi më i lartë i interpretimit të ligjit ndërkombëtar.

    Partia Përparimtare Serbe që udhëhiqet nga Aleksandër Vuçiç, vartës e militant i flaktë i të cilës është edhe vetë Petkoviç, lajtmotiv të betejës politike të brendshme me ish-pushtetarët serbë, e në këtë rast me Jeremiç-in, e kanë gjoja se “ata kanë dorëzuar Kosovën”.

    Jeremiç iu kundërpërgjigj Petkoviçit, por duke mos thënë shumë. “Ju, zoti Petkoviç, përnjëmend jeni soj i veçantë”, u shpreh ai ironikisht.

    Takimi i djeshëm trepalësh nuk solli fryte konkrete, por burime të Radios Evropa e Lirë thanë se ndonëse takimi ishte i vështirë, ishte më i miri që kishte ndodhur deri më tani mes Kurtit dhe Vuçiç, ku palët diskutuan më në detaje se ndonjëherë rreth arritjes së një marrëveshje.

    Madje, siç thanë burime diplomatike të REL-së që nuk pranuar të identifikohen me emër, liderët u pajtuan që të takohen një herë në muaj, që përbën progres në qasje të dialogut nga ngërçi i madh për një kohë të gjatë.

    Takimi në Bruksel erdhi pas tensioneve të mëdha rreth dy vendimeve të reja të qeverisë së Kosovës për reciprocitet për letra të udhëtimit si dhe ndalimin e targave ilegale të lëshuara nga MPB-ja serbe për veturat e serbëve në Kosovë.

    Beogradi instrumentalizoi rezistencë lokale të serbëve të Veriut duke barrikaduar dhe pamundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave/Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!