×
  • Lajme
  • Lajme / Diplomati austriak

    Petritsch: Marrëveshja Kurti – Vuçiq ka validitet ndërkombëtar

    Reporteri
    08 Prill 2024 | 7:22
    Foto/ Diepresse

    Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, ish përfaqësues i BE-së në bisedimet në Rambuje ka thënë se marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, kanë validitet ndërkombëtar, sepse fjala e dhënë e një presidenti apo e një kryeministri para ndërmjetësve ndërkombëtarë, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi.

    “Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare. Këto marrëveshje, kjo në Bruksel dhe  Ohër, ashtu si më pare, janë të vlefshme, dhe unë besoj se Brukseli do të zhvillojë takime të tjera me Beogradin, që ta detyrojë të njohë marrëveshjet dhe zotimet që ka marrë përsipër. Kjo marrëveshje tashmë është pranuar, sepse fjala e një presidenti apo një kryeministri, është po aq e vlefshme sa edhe nënshkrimi i tij.”, ka deklaruar Petritsch, për Radio Kosovën

    Për Marrëveshjen e Rambujesë të vitit 1999, ai thotë se ka një vlerë historike, sepse i hapi rrugë ndëryrjes ushtarake të NATO-s.

    “Kosova tani është 100 për qind në agjendat e politikave të përbashkëta të sigurisë të BE-së dhe Vuçiq e di se çdo veprim ushtarak kundër Kosovës, do të mobilizonte NATO-n për kundërpërgjigje”, thekson ai.

    I pyetur rreth përfundimit të mandatit të ndërmjetësit Miroslav Lajçak, ai thotë se ka frikë se mund të ketë kthim prapa të dialogut Kosovë-Serbi.

    “Të shpresojmë që në vitin 2025 të ecim përpara, ndonëse kam frikë se mund të ketë edhe kthim prapa në procesin e dialogut. Është e rëndësishme të theksojmë se gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në dhjetë vitet e kaluara ka pasur përparime të mëdha. Kjo ka ndodhur edhe kohët e fundit, siç është marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të targave. Pa dyshim, ka ndryshime substanciale, por sidoqoftë, është e pamjaftueshme. Shpresoj se ekipi i ri i Bashkimit Evropian për ndërmjetësimin dhe lehtësimin e dialogut, do të ushtrojë një trysni të madhe tek Beogradi për të shkuar përpara, sepse tashmë kemi një marrëveshje dhe ajo duhet të zbatohet”, ka deklaruar ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!