Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin që tronditi dje Podujevën, ku një përleshje mes familjarëve përfundoi në katër të plagosur, një prej tyre kalimtar rasti.
Rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Policia bën të ditur se në vendngjarje kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja. Më pas me vendim të prokurorit janë bastisur edhe pronat e të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar dy karikatorë me 58 fishekë, dy karikatorë të tjerë me 27 fishekë, dy armë të shkurta me 82 fishekë dhe një armë gjuetie me 49 fishekë, bën të ditur policia.
Njoftimi i plotë:
VRASJE E RËNDË NË TENTATIVË&ARMËMBAJTJE PA LEJE&ASGJËSIM APO DËMTIM I PASURISË
Podujevë 02.07.2026-13:40. Ka ndodhur një rast gjuajte me armë zjarri ku kanë mbetur të plagosur tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe një viktimë mashkull kosovarë (kalimtar i rastit), të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin kanë intervenuar menjëherë zyrtarë policor dhe njësitë relevante policore, të cilat në vendngjarje kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja. Në vendngjarje ka dalë stafi i lartë menaxhues i PK-së, ekipet mjekësore dhe prokurori i rastit, me vendim të të cilit janë bastisur edhe pronat e të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar dy karikatorë me 58 fishekë, dy karikatorë të tjerë me 27 fishekë, dy armë të shkurta me 82 fishekë dhe një armë gjuetie me 49 fishekë. Rasti i nënshtrohet procedurave të mëtejme hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. /Reporteri.net/