×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia aksion në Prishtinë e Ferizaj, bastiset edhe Ministria e Mjedisit

    Reporteri
    06 Janar 2022 | 8:58

    Një aksion i gjerë policor është duke u zhvilluar sot në disa lokacione të Kosovës.

    Policia e Kosovës për Gazetën Online “Reporteri.net” ka thënë se operacioni është duke u zhvilluar në dy rajone, atë të Ferizajit dhe Prishtinës, ku përfshihen disa lokacione.

    Ngas policia  kanë konfirmuar se aksioni është vazhdim i aksionit të kryer ditë më parë lidhur me ndërtimet që janë kryer në Brezovicë.

    “Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente, është duke e realizuar një operacion, i cili është vazhdimësi e hetimit të rastit “Brezovica”.

    Ky operacion shtrihet në dy rajone, atë të Ferizajit dhe Prishtinës, ku përfshihen disa lokacione”, ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

    Përpos kësaj, bastisje nga Policia e Kosovës janë duke u kryer edhe tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Lajmi në fjalë është konfirmuar edhe nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

    “Po, janë duke u kryer bastisje. Aksioni është duke u zhvilluar në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë. Bastisje janë duke u kryer edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Është vazhdimësi e aksionit të 21 dhjetorit, pra për ndërtimet në Brezovicë. Deri tash s’ka të arrestuar, meqenëse bastisjet po vazhdojnë ende”, ka thënë ai.

    Policia e Kosovës  javë më parë kreu një aksion në Shtërpcë për ndërtime pa leje dhe korrupsion, ku u arrestuan 10 persona, në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliq, ish – kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!