Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut e borës që po mbizotërojnë në disa pjesë të vendit.
Sipas Policisë, ndryshimi i motit dhe rënia e temperaturave rrisin rrezikun për rrëshqitje dhe formim të ngricave në rrugë, çka mund të vështirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.
Policia u bënë thirrje shoferëve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet reale të rrugës, të mbajnë distancë të mjaftueshme mes automjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen, veçanërisht në rrugët e lagura, të mbuluara me borë apo akull.
Po ashtu, Policia këshillon që automjetet të jenë të pajisura me goma dhe mjete dimërore, duke theksuar se respektimi i rregullave të trafikut dhe kujdesi i shtuar janë thelbësorë për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
“Siguria në trafik është prioritet. Kujdesi i secilit ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.