×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia jep detaje shtesë për personin që u gjet i vdekur në Rugovë

    Reporteri
    28 Prill 2019 | 22:31

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për gjetjen e trupit të pajetë të një 49 vjeçari me inicialet M.N. që u gjet në malet e Rugovës, i cili dyshohet se u sulmua me sëpata nga familjarët. 


    Ashtu siç raportoi Reporteri.net trupi i viktimës është gjetur nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Policia ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dy të pandehurve A.N. dhe SH.L., me ç’rast Gjykata Themelore e Pejës ka lëshuar urdhëresë për zgjatjen e afatit të ndalimit policor edhe 48 orë tjera.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    Policia e Kosovës- Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me datë 26.04.2019 rreth orës 23:10, është informuar se në vendin Tllaqe (Qafa e Broqit) lidhur me një zënkë në mes të disa personave. Njësiti i hetimeve pranë stacionit policor në Pejë, në koordinim me prokurorin e shtetit ka ndërmarr veprimet e nevojshme, fillimisht janë intervistuar personat e dyshuar dhe më pas me vendim të prokurorit të shtetit ju është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve tre të dyshuarve, dy prej tyre të moshës madhore A.N. i lindur në vitin 1968 M/K/Sh ; Sh.L. i lindur në vitin 1966 M/K/Sh. dhe një i mitur.

    Viktima i këtij rasti M.N. lindur në vitin 1970 M/K/Sh. është kërkuar nga data e incidentit dhe më datë 27.04 2019 pas koordinimit me prokurorinë e shtetit, njësitet relevante policore së bashku me prokurorin e shtetit kanë dalur ne vendin e ngjarjes në kërkim të viktimës në një perimetër të gjerë të vendit ku ka ndodhur incidenti.

    Kërkimi i viktimës ka zgjatur deri në orët e vona, por ai nuk është gjetur.

    “Sot më datë 28 prill 2019, që nga orët e mëngjesit ka vazhduar kërkimi intensiv i viktimës nga Njësitet policore të DRP Pejë, Njësitet e Policisë Kufitare, Ekipi i kërkim shpëtimit nga Ushtria (FSK).Rreth orës 15:05 në fshatin Reka e Allagës – Pejë, është gjetur pa shenja jete trupi i viktimës M.N. vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor. Vendit të ngjarjes ju është përgjigjur prokurori i shtetit nga Departamenti i krimeve të rënda i Prokurorisë Themelore të Pejës, Mjekësia ligjore dhe udhëheqësit policor nga DRP- Pejë. Me urdhër të prokurorit shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obdukim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në komunikatnë për media.

    Tutje bëhet e ditur se Prokuroria Themelore e Pejës, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dy të pandehurve A.N. dhe SH.L., me ç’rast Gjykata Themelore e Pejës pas mbajtjes se seance dëgjimore, komforë dispozitave të KPPRK-së , ka lëshuar urdhëresë për zgjatjen e afatit të ndalimit policor edhe 48 orë tjera, deri në nxjerrjen e aktvendimit me shkrim, përkitazi me masën e kërkuar në raport me dy të pandehurit e lartcekur.

    “Meqenëse për të miturin zbatohen procedurat e veçanta nga Kodi i Drejtësisë për të mitur, ku edhe afatet janë më te shkurta lidhur me masën e kërkuar ndaj tij, gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit. Ky rast ka kaluar në kompetencë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejë”, përfundohet në njoftimin për media. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!