Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, është arrestuar nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, Geci më 13 tetor 2023 është arrestuar, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “kanosje” ndaj një viktimes mashkull, gazetar.

“Me 13.10.2023 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ,,kanosje ’’ ndaj viktimës mashkull kosovar-gazetar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48-orë”, thuhet në raportin e Policisë.

Reklamë

Geci fillimisht ishte shoqëruar në polici, pasi një natë më parë, kishte shkuar te ambientet e Televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj po merrte pjesë në një debat me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.

Mbrëmë, në profilin e Gani Gecit, djali i tij ka shkruar se ish-deputeti ka shkuar vullnetarisht për t’u intevistuar në polici.

Ngjarja erdhi pas një postimi kritik të gazetarit Mehmetaj ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.

Gazetari ka treguar se anëtarë të familjes Geci kishin shkuar në zyrën e tij dhe i kishin kërkuar ta fshinte ose ta ndryshonte postimin. Mehmetaj ka thënë se ka shkuar në polici ku i ka njoftuar për rastin.