×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia kontrollon banesën e kosovarit të njohur si“Daja”, ky ishte roli i tij në grabitjen e Rinasit

    Reporteri
    27 Prill 2019 | 16:00

    Ragip Hajdini nga Kosova dyshohet të ketë patur rolin e njërit prej organizatorëve të grabitjes spektakolare brenda pistës së Rinasit mesditën e 9 prillit. Në këtë përfundim ka dalë grupi hetimor pas analizimit të gjitha provave të grumbulluara deri në momentin e arrestimit të tij.


    Në kërkim të Hajdinit, policia u vu pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i cili u tha hetuesve se pjesë e grupit kriminal ishte edhe një shtetas nga Kosova rreth 50 vjeç dhe qëndronte në shoqërinë e Admir Muratajt. Grupi i hetimit duket se nuk e pati të vështirë identiifikimin e 50 vjeçarit, për sa kohë Hajdini ishte i skeduar më herët nga policia e Kosovës, por edhe sepse bashkëpunëtori i drejtësisë, arriti mes disa fotosh të vinte gishtin tek shtetasi kosovar.

    Dyshimet janë se ai bashkë me mikun e tij Murataj dhe Klement Çalën nisën ta thurnin planin e grabitjes 6 muaj më parë në një restorant në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku edhe jetonte shtetasi kosovar.

    Hetuesit thanë se banesa ku Hajdini u arrestua ishte në pronësi të tij, çka nënkupton faktin se ai përfundimisht pjesën më të madhe të kohës jetonte në Shqipëri dhe rrinte në shoqërinë e Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë pas grabitjes gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

    Hetuesit kanë zbarkuar paraditen e së shtunës në banesën e 50-vjecarit ku kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm, megjithatë nuk jepen detaje nëse janë gjetur prova kompromentuese kundër kosovarit që thirrej me nofkën Daja.Ky i fundit referuar dëshmisë së Bengasit, rezulton se gjashtë ditë para grabitjes së Rinasit është parë në zonën e Liqenit të Thatë, në shoqërinë e Muratajt, duke udhëtuar me një automjet Golf ngjyrë të bardhë me targa të Kosovës.

    Kjo dëshmon sipas hetuesve miqësinë e ngushtë që kishin Murataj dhe Hajdini, të cilët e thërrsinin njëri-tjetrin me nofkën “Daja”.

    Megjithatë dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, nuk hedh dritë mbi faktin nëse “Daja” nga Kosova është në mesin e pesë grabitësve që shkatërruan rrethimin e Rinasit, dhe morën nga barku i një avioni miliona euro. E vetmja shpresë për hetuesit janë gjurmët e gishtërinjve të gjetura në furgonin me mbishkrimin “Hetimit tatimor”, nëpërmjet të cilave do të mund të provohet, se cilët ishin grabitësit që përshkruan pistën e avionëve. Veç Admir Muratajt që mbeti i vrarë, dyshimet janë se në pistë kanë hyrë edhe Oltian Veseli e Klement Çala.

    Ky i fundit bashkë me të vëllain Eldi dhe Talo Çelën nga Elbasnai vazhdojnë të jenë në arrati. Alkond Bengasi, kushëri me vëllezërit Çala, Saimir Çela dhe Renaldo Sula nga Elbasani dhe Elton Pikli nga Fushë Kruja, dyshohen si bashkëpunëtorët kryesorë të grupit të dhunshëm. I vetmi që ka pranuar se ka dijeni për ngjarjen dhe ka pranuar bashkëpunimin me hetuesit është Alkond Bengasi, të tjerët deri më tani kanë mohuar çdo përfshirje në grabitjen spektakolare dhe i janë drejtuar gjykatës së Apelit ku kanë kërkuar lirinë.

    BW

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!