×
  • Lajme
  • Lajme

    Porosia e Ismet Beqirit: Duhet të ketë garë, jo luftë të paskrupullt brenda partisë

    Reporteri
    19 Mars 2019 | 19:03

    Ka folur edhe sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri për zgjedhjet e brendshme të kësaj partie.


    Ai, me rastin e 29 vjetorit të LDK-së në Podujevë tha se gara brenda partisë së tij duhet të jetë serioze, e jo të ketë luftë brendapërbrenda saj.

    “Sa herë mbahen zgjedhjet në LDK është sikurse të mbahen zgjedhje nacionale. Nuk duhet të ketë luftë në garën brenda nesh, jo luftë e paskrupullt brenda nesh, por garë që LDK-në e ka mbajtur si subjektin më të madh e më serioz. Jam i bindur që kjo ditë vije në shprehje”, tha Beqiri, transmeton Reporteri.net.

    Njëjtë si edhe Veliu, as Beqiri, nuk ka treguar nëse ai mund t’i hy garës për kreun e partisë. Por, prania e tij në Podujevë mund të konsiderohet si një lloj përkrahje për Veliun nëse ky i fundit synon ta marrë kreun e partisë.

    Kujtojmë se Veliu ka deklaruar se “LDK nuk është pronë e asnjërit prej nesh këtu, kush më gjatë e kush më pak”.

    Ndërsa kundër kandidimit është shprehur Kujtim Shala i cili ka thënë se nuk do të garojë për kreun e partisë.

    Për dallim nga Shala dhe shumë të tjerë, i heshtur po rrinë kreu aktual, Isa Mustafa i cili poashtu mund të synoi një mandat tjetër.

    Deri tani hapur ambiciet për kryetar të LDK-së i kanë shprehur Lutfi Haziri i cili në një emision ka deklaruar se do t’i hyjë garës, ndërsa edhe Fatmir Sejdiu në një intervistë për mediat që do transmetohet sonte ka thënë se është i gatshëm të marrë përgjegjësi.

    Kandidatët, sipas statutit të LDK-së, do të zgjidhen me vota të delegatëve, ndërsa numri i këtyre të fundit varet prej votave që kjo parti ka marrë në zgjedhjet nacionale.

    Për çdo 532 vota që një degë ka marrë nga zgjedhjet lokale, ajo do të çojë 1 delegat në Kuvendin Zgjedhor të LDK’së ku zgjedhet kryetari i partisë.

    Në zgjedhjet lokale në Prishtinë LDK ka marrë 41.897 vota, që i bie se do të ketë 80 delegatë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!