“Të tepërt” e ka quajtur studiuesi dhe ligjëruesi amerikan, Alon Ben Meir, këmbënguljen në njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi, të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Në vend të kësaj, sipas ligjëruesit amerikan, kryeministri do të duhej të shihte bashkëpunime me Serbinë në projekte me interes të ndërsjellë, për sa kohë, siç tha ai, “nuk komprometohet pavarësia e Kosovës”.

“Besoj se Kryeministri i Kosovës, [Albin] Kurti po përqendrohet për së tepërmi rreth njohjes nga Serbia. Në vend të kësaj duhet të përqendrohet në punime të përbashkëta me Serbinë rreth çfarëdo projekti që do të ishte në interesin e ndërsjellë për sa kohë që pavarësia e Kosovës nuk komprometohet”, ka shkruar Ben Meier në Twitter.

Reklamë

Megjithëkëtë, ndonëse Kryeministri i Kosovës kërkon që dialogu të jetë i “qendërzuar” në njohje të ndërsjellë, qëndrimi i t ij i mëparshëm ka qenë se “jetojmë edhe pa njohje” dhe se “nuk paguajmë gjë” për një njohje me doemos nga Serbia, shkruan Reporteri.net.

Në një intervistë të vitit të kaluar për portalin “European Western Balkans” Kurti kishte thënë se për njohjen nga Serbia “nuk paguajmë as me territor e as me funksionalitet të shtetit”.

“Sigurisht se do të preferoja që Serbia ta njohë Kosovën, por nëse nuk e bën këtë, duhet të jetojmë pa atë njohje. Nuk jam duke planifikuar ta zëvendësoj varësinë e kaluar të Kosovës nga Serbia me varësinë e re të Kosovës nga njohja e Serbisë për shtetin tonë të pavarur. Për 13 vjet deri tash, kemi jetuar pa njohjen nga Serbia”.

“Do të ishte mirë të na njohë, por nuk do të paguajmë për këtë, as me territor e as me funksionalitet të shtetit tonë. Kosova është e pavarur. E kanë njohur 26 nga 30 shtetet e NATO-s, 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së. Rusia e Kina jo, por SHBA-ja, Franca e Britania e Madhe në Këshill të Sigurimit po. Duhet të ecim përpara”, kishte thënë ai.

Në një intervistë dhënë javën e kaluar, megjithatë, kryeministri shprehi nevojën “urgjente” të arritjes së një marrëveshje me Serbinë, ngase, siç tha ai, “nuk i kemi as dy vjet kohë”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Reklamë