Joshua Hafetz, prokurori i rastit në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ka deklaruar se ish presidenti i Kosovës, gjatë katër muajve sa ishte në paraburgim, kishte përdorur vizitat në qendrën e paraburgimit për të tentuar të pengonte procesin gjyqësor në rastin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Gjatë deklaratave përmbyllëse në këtë proces, Hafetz tha se Thaçi në mënyrë të vazhdueshme kishte nxjerrë informacione konfidenciale dhe kishte shkelur rregullat e gjykatës, ndërsa sipas tij, në këto veprime ishin përfshirë edhe të bashkakuzuarit e tij.
Sipas prokurorit, secili prej bashkakuzuarve kishte një lloj njohjeje me dëshmitarët që ishin shënjestruar dhe synimi ishte që këtyre të fundit t’u jepej udhëzim se çfarë duhej të thoshin para gjykatës.
“Për katër muaj Hashim Thaçi përdori qendrën, vizitat në qendrën e paraburgimit, të përpiqej të pengonte procesin në këtë gjykim, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në këtë proces, ai në mënyrë të vazhdueshme nxori informacione konfidenciale dhe shkeli rregullat e gjykatës. Të bashkakuzuarit… secili prej tyre shokë të vjetër të zotit Thaçi, iu bashkua zotit Thaçi në këtë veprim. Secili prej të bashkakuzuarve kishte një lloj njohje me dëshmitarin të cilin shënjestroi. Synimi i pengimit të synuar ishte i thjeshtë: t’u thuhej dëshmitarëve çfarë duhet të thonë kur të vijnë në gjykatë, në mënyrë që të thonë diçka në favor të zotit Thaçi”, tha ai.
Ai tha se udhëzimet nuk kishin të bënin vetëm me deklarimin ose mosdeklarimin e fakteve të caktuara, por edhe me ndryshimin e dëshmisë, korrigjimin e saj, heqjen e pjesëve nga deklaratat e mëparshme dhe mënyrën se si dëshmitarët duhej t’u përgjigjeshin pyetjeve të gjykatësve.
Prokurori pretendoi se në këto incizime Thaçi fillimisht fliste me zë normal për tema të përditshme, ndërsa më pas ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete lidhur me atë se çfarë duhej t’u thoshin dëshmitarëve.
“Për të qenë më konkret, janë pranuar në këtë çështje gjyqësore rreth 28 orë incizime të zotit Thaçi. 28 orë të shpërndara në nëntë vizita të veçanta për një periudhë katër mujore, përfshirë pesë vizitat ku zoti Thaçi ka folur me të bashkakuzuarit në këtë çështje gjyqësore. Përmbajtja e incizimeve është rrënuese për zotin Thaçi dhe të bashkakuzuarit. Arsyeja është sepse vizitë pas vizite, Thaçi ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet t’u thonin vizitorët dëshmitarëve. Këtë e ka bërë me muaj të tërë dhe udhëzimet e tij kishin një praktikë të ngjashme për të zbehur akuzat në çështjen gjashtë.”, tha ai.
Sipas aktakuzës, Thaçi akuzohet për tri vepra penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkaq, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës./KP