Mediat botërore kanë raportuar për protestën e mbrëmshme në Prishtinë, ku pati përleshje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës. Mediumi ndërkombëtar Reuters i ka kushtuar një artikull të veçantë zhvillimeve para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

Reuters raporton se protestuesit u përleshën me policinë, duke kërkuar nga deputetët miratimin e ndryshimeve ligjore që synojnë kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Sipas Reuters, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën mjete piroteknike dhe gurë në drejtim të policëve.

Reklamë

“Policia ka bërë të ditur se 17 persona u lënduan, përfshirë gjashtë zyrtarë policorë, ndërsa tre protestues u arrestuan”, shkruan mediumi.

Reuters vazdhon raportimin duke njoftuar se protesta u zhvillua disa javë pas vendimit të Dhomave të Specializuara, që dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe tre ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Sipas mediumit ndërkombëtar, protestuesit bllokuan më pas Kuvendin e Kosovës, duke penguar deputetët të largoheshin nga ndërtesa dhe duke kërkuar që ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të kalonin edhe në votimin e dytë.

Reuters thekson se përplasjet tregojnë zemërimin e madh në Kosovë lidhur me dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët në vend konsiderohen heronj të luftës, ndërsa njëkohësisht nxjerrin në pah edhe ndarjet politike në Kuvend.

Mediumi raporton se ndryshimet e propozuara nga PDK-ja parashohin që dënimet të kufizohen në maksimum 15 vjet, që të dënuarit të kenë mundësi ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës, që dënimet të mund të kryhen në Kosovë dhe që presidenti të ketë mundësi të japë amnisti.

Reklamë

Reuters citon edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili i ka cilësuar këto ndryshime si “të nxituara dhe të pamjaftueshme për nga analiza dhe shqyrtimi”.

Në artikull rikujtohet se Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan në Hagë në vitin 2015, nën presionin ndërkombëtar, për të hetuar dhe gjykuar ish-pjesëtarë të UÇK-së për krime të dyshuara gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.

Reuters rikthen në vëmendje edhe vendimin e muajit të kaluar ndaj Hashim Thaçit, i cili u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm, dhe u dënua me 25 vjet burgim.


Al Jazeera gjithashtu raportoi për përplasjet para Kuvendit, duke theksuar se protestat shpërthyen pas përfundimit të seancës pa u zhvilluar votimi i dytë për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara.

Reklamë

Ndërkaq, Euronews raportoi për 17 personat e lënduar, gjashtë prej tyre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa France 24 ka pasqyruar protestat dhe zhvillimet në Kosovë lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara.