Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar vendimin dhe arsyet për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.
Në vendimin e publikuar, KPK ka renditur disa arsye për largimin e Isufajt nga kjo pozitë. Ndër to përmendet “keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale”, si dhe “jokompetenca në ushtrimin e pozitës së Kryeprokurorit”.
Po ashtu, në vendim thuhet se arsyet për shkarkim janë edhe dështimi në kryerjen e detyrave të pozitës së Kryeprokurorit dhe mospërmbushja e standardeve të performancës, e vërtetuar përmes vlerësimit të performancës.
“1.1. Keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale;
1.2. Jokompetenca në ushtrimin e pozitës së Kryeprokurorit;
1.3. Dështimi në kryerjen e detyrave të pozitës së Kryeprokurorit;
1.4. Mospërmbushja e standardeve të performancës, e vërtetuar me vlerësimin e performancës”, thuhet në vendim.
Sipas KPK-së, këto rrethana, secila veçmas, përbëjnë shkak për largim nga pozita, në kuptim të nenit 22, paragrafi 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar.
Isufaj ishte shkarkuar nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale më 2 tetor.
Ai më herët ishte propozuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por nuk ishte dekretuar nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani.