Lufta kundër dezinformimit, bashkëpunimi ndërmjet mediave dhe sfidat me të cilat përballen mediat e pavarura në Kosovë u diskutuan në konferencën “Bashkëpunimi Medial në Kosovë: Dialogu, Bashkëpunimi dhe e Ardhmja e Mediave të Pavarura”, të martën në Prishtinë.

Aty u tha se qëndrueshmëria financiare, mbetet një nga sfidat kryesore në vend.

E mbështetje në luftën kundër dezinformimit, do të vazhdojë të japë Franca. Kështu deklaroi ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, derisa foli për iniciativën rajonale që synon ndërgjegjësimin për informacionin e rremë.

Reklamë

“Kosova ka pasur batica dhe zbatica. Në renditjen e Reporterëve pa Kufij, Kosova renditet e 84-ta në vitin 2026 pra është ngritur nga renditja e mehershme, ne 2019 ka qene e 75-ta, pra Kosova nuk eshte vend i keq krahasuar me shtetet e tjera. Franca është e kënaqur që t’i ofrojë mbështetje Kosovës dhe shteteve të tjera. Në Ballkan kemi një iniciativë regjionale të quajtur ‘Horizonti i Përbashkët’. Një nga projektet e saj është një fushatë që do të nisë nga Instituti Francez në Paris me sloganin ‘2 + 2 = 5’, si një mënyrë shumë e mirë për të ilustruar se çfarë do të thotë dezinformimi”, tha Guerot.

Në një panel diskutimi me temën “E ardhmja e mediave të pavarura në Kosovë”, u diskutua për sfidat me të cilat përballen mediat në vend, si dezinformimi, rënia e besimit të publikut, presionet financiare dhe qëndrueshmëria e mediave.

“Të theksojmë natyrisht në atë që gazetarët kanë si shqetësim në punën e tyre dhe vjen me temën kryesore të diskutimit që është qëndrueshmëria financiare e mediave. Tani ne në aspekt të mediave që raportojnë në shqip e gjithmonë e themi, me shumë krenari besoj, që Kosova ka pluralitet të jashtëzakonshëm medial në kuptim të ofertave të asaj çfarë lexuesit, shikuesit mund të pranojnë. Në kuptimin që ka së paku nëntë televizione nacionale që kanë programacion të ngjashëm të përgjithshëm, ka më shumë se dhjetë portale të mëdha, por ka shumë e shumë natyrisht duke pasur parasysh që s’ka gazeta”, tha kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.