Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se ekziston shqetësimi në mesin e këtyre shteteve për prishje potenciale të stabilitetit në rajon, në përmbylljen e procesit të riregjistrimit të veturave në RKS për serbët në pjesën veriore të Kosovës, njoftoi Presidenca e Serbisë në një komunikatë për media, raporton gazeta online Reporteri.net.
Vuçiç njoftoi se shtetet e QUINT’it ia kanë paraqitur një dokument të hartuar bashkërisht nga pesë shtetet, përkatësisht ShBA, MB, Franca, Gjermania dhe Italia.
Në komunikatë u tha se “Presidenti Vuçiç gjithashtu ndan shqetësimet për tensione të mundshme, duke shtuar se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut si mënyrë për të zgjidhue të gjitha çështjet e hapura”.
“Presidenti Vuçiç theksoi se tensionet e ngritura gjer më tani erdhën si pasojë e lëvizjeve të njëanshme të Prishtinës, si dhe nga fakti se Prishtina nuk i respekton provizionet e Marrëveshjes për Liri të Lëvizjes, të konkluduara me ndërmjetësimin e BE-së”, thuhet në komunikatë.
Më herët Vuçiç tha se QUINT-i i ka kërkuar “takim urgjent” dhe se po kërkonin “zgjidhje urgjente” në çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa në këtë takim lajmëroi se QUINT’i ia ka dorëzuar një dokument presidentit serb.
Presidenti serb ka thënë se po pret propozime të reja nga ana e QUINT-it.
Më 31 tetor skadon afati dy-muajsh për konvertimin e targave “KM, PZ, UR, etj” që lëshohen nga MPB-ja serbe për qytetarët serbë të Kosovës. Vendimi qeveritar i Kosovës është që ato të konvertohen në RKS deri më 31 tetor, dhe mëpastaj ndalohet qarkullimi i tyre.
ShBA ka kërkuan shtyrje të këtij afati për edhe 10 muaj, ndërsa Qeveria e Kosovës ka thënë se do të vazhdojë para me afatin e caktuar kohor fillestar./Reporteri.net/