Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar vendimin e Gjykatës Supreme që të refuzojë kërkesën e asamblistëve të Kuvendit Komunal të Lëvizjes Vetëvendosje rreth ndryshimit të biletave të transportit publik, vendim i marrë nga komuna.
Rama ka thënë se kjo kërkesë është refuzuar, duke thënë se asamblistët e VV-së janë “dashakëqij” dhe të “padijshëm”.
“Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm”, ka shkruar Rama në Facebook.
Sipas dokumentit zyrtar të publikuar nga vetë Rama (të datës 28 korrik 2026), procedura ka kaluar nëpër disa hapa administrativë e procedurash ligjore:
Gjykata Administrative e Kosovës (Departamenti i Përgjithshëm) me gjyqtarin Driton Nocaj, ka refuzuar kërkesën e LVV-së për caktimin e masës së sigurisë — përkatësisht pezullimin e përkohshëm të zbatimit të vendimit për çmimin e ri të biletave.
Nga arsyetimi i vendimit kuptohet se LVV e kishte dorëzuar fillimisht padinë në Gjykatën Supreme, mirëpo kjo e fundit, më 22 korrik 2026, e ka konstatuar pamundësinë e shqyrtimit atje dhe e ka përcjellë lëndën për kompetencë në Gjykatën Administrative.
Gjykata Administrative sqaron se refuzimi i sotëm ka të bëjë vetëm me masën e përkohshme dhe se shqyrtimi meritor i ligjshmërisë së vendimit do të vazhdojë në procedurë të rregullt gjyqësore.
Ndaj këtij aktvendimi për masën e sigurisë, palët kanë të drejtë ankese prej 7 ditësh në Gjykatën e Apelit.