×
  • Lajme
  • Lajme

    Raporti i DASH për Kosovën: Identifikohen disa shkelje të të drejtave të njeriut

    Reporteri
    13 Mars 2019 | 18:10

    Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2018, ku në pjesën për Kosovën nxjerr si probleme: “kthimin e detyrueshëm të refugjatëve ose azilkërkuesve, korrupsionin endemik në qeveri, dhunën dhe kërcënimet e dhunshme kundër gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara”.


    Raporti thekson rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, ku ata, siç thuhet, janë kërkuar “nën akuza të paqarta”.

    “OJQ-të dhe Institucioni i Avokatit të Popullit kanë thënë se qeveria ua ka mohuar të drejtën të të ndaluarve për të kërkuar azil ose për të apeluar vendimin për dëbim para gjykatës. OJQ-të dhe politikanët e opozitës kanë thënë se dëbimi i përshpejtuar ka qenë i motivuar politikisht”, thekson raporti.

    I njëjti kujton se “kryeministri (i Kosovës) ka shkarkuar ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës të Kosovës si rezultat i incidentit”, shkruan Rel.

    Te pjesa për lirinë e shprehjes, raporti thekson se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës e garantojnë lirinë e shprehjes dhe se qeveria në përgjithësi e ka respektuar këtë të drejtë.

    Por, thuhet tutje, raporte të besueshme kanë përsëritur se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznesnmenë dhe grupe radikale fetare kanë bërë përpjekje t’i frikësojnë përfaqësuesit e mediave.

    “Mediat gjithashtu hasën vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, ashtu siç parashihet me ligj”, thuhet në raport.

    Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu thekson se ligji në Kosovë parashikon dënime penale për zyrtarët që kryejnë vepra korruptive, porse qeveria “nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive”.

    Zyrtarët, nganjëherë, janë angazhuar në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kanë kontribuar në këtë problem”, thuhet në raport.

    Po sipas tij, incidentet e sigurisë kanë vazhduar kundër serbëve të Kosovës dhe këtu përmendet rasti i vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!