×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon Qeveria e Serbisë pas shkarkimit të Vesna Mikiqit

    Reporteri
    25 Mars 2019 | 17:28

    Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se shkarkimi i Vesna Mikiqit nga posti i zëvendësministres së Drejtësisë në Kosovë “është edhe një tjetër provë që (kryeministrit të Kosovës) Ramush Haradinajt i duhen serbë të dëgjueshëm dhe të bindur”.

    Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi të hënën se ka liruar nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Mikiq, e cila vjen nga radhët e subjektit politik Lista Serbe.

    Haradinaj tha se ky vendim u mor pasi Mikiq deklaroi se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

    Në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thuhet se Mikiq, “duke e quajtur agresionin ndaj popullit serb gjenocid dhe separatistët shqiptarë terroristë”, ajo “ka shprehur mendimin që mbizotëron në mesin e popullit serb”.

    “Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij mund t’iu ngrenë edhe dhjetëra monumente agresorëve dhe terroristëve, por populli serb nuk do të detyrohet t’i respektojë ata që i kanë bërë keq”, thuhet në reagimin që e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Shkarkimin e Mikiqit e dënoi edhe subjekti i saj politik Lista Serbe.

    Sipas kryeministrit Haradinaj, deklaratat e Mikiqit janë “të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes”.

    Haradinaj tha se Mikiq i bëri komentet në Ministrinë e Drejtësisë.

    Në vitin 1999, aleanca e NATO-s bombardoi caqet e ushtrisë serbe për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

    Sulmet zgjatën 78 ditë, ndërsa përvjetori i 20-të i nisjes së tyre u shënua të dielën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!